Meta: I gatshëm të rishikoj dekretin për datën e zgjedhjeve

schedule11:08 - 24 Maj, 2019

schedule 11:08 - 24 Maj, 2019

Kreu i Shtetit Ilir Meta ka deklaruar se është i gatshëm të rishikojë dekretin presidencial që ka përcaktuar datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Përmes një reagimi Meta ka theksuar se për zgjidhjen e krizës është i gatshëm të sakrifikojë edhe mandatin e tij.

“Presidenti cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendit, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”

Është kjo pika kushtetuese e referuar nga presidenti Meta si bazë ligjore e zgjidhjes që ai ofron nga karrigia e kreut të shtetit për krizën politike në vend.

“Në këtë kuadër, shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”.

Për këtë përsërit deklaratën e pak muajve më parë.

“Mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit; të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qyetetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë”.

Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve. – deklaroi Meta duke i bërë thirrje palëve të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman, i shprehur i gatshëm për ndërmjetësimin e dialogut mes palëve.

/ABC News Albania 24/7