Mesi kthehet, por Barcelona humb

schedule21:49 - 11 Nëntor, 2018

schedule 21:49 - 11 Nëntor, 2018

Barcelona pësoi një humbje të papritur në kampionatin spanjoll, madje brenda në stadiumin “Kamp Nou”. Betisi e mundi 4-3, edhe pse katalanasit patën sërish në ekip, kapitenin e tyre.

Duhej të ishte mbrëmja e madhe e rikthimit të Mesit. Vërtet, duhej, pasi nuk ndodhi kështu dhe argjentinasi u prit me një humbje në shtëpi, ndërsa la pas dëmtimin. Festa u prish nga Betisi, skuadër e Seviljes që triumfoi 4-3 në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës, kampione dhe kryesuese e La Ligës.

Një ndeshje që filloi dhe përfundoi e tensionuar për vendasit, të cilët ishin edhe të lodhur, por edhe disi të vetëkënaqur pasi kaluan me sukses provat me Interin në Champions. Zhunior Firpo e Hoakin shënuan dy golat e parë për miqtë në pjesën e parë. Pas pushimit, erdhi reagimi i katalanasve, por jo i mjaftueshëm. Mesi shënoi me 11-metërshin e fituar nga Zhordi Alba, por Barça është sot një ekip thuajse pa mbrojtje.

Argjentinasi Zhovani Lo Selso realizoi për 3-1 për Betisin, duke e bërë shumë të vështirë detyën e lojtarëve të trajnerit Valverde. Pati sërish shpresë në “Kamp Nou”, kur Mesi krijoi aksionin e golit të tretë, realizuar nga Arturo Vidal, veçse nuk qe e thënë që kampionët të merrnin të paktën një pikë. Betisi ndëshkoi sërish dobësinë difensive të katalanasve, duke bërë që goli i fundit, realizuar nga Mesi të ishte thjesht një kënaqësi personale.

Edhe pas kësaj humbjeje, Barcelona mbeti në krye të renditjes në La Liga, me 24 pikë, veçse me vetëm 1 pikë më shumë sesa Atletiko e Madridit apo Sevilja. Kampionët e Spanjës nuk po gjejnë dot stabilitet, duke kaluar nga ndeshje të mëdha si ndaj Realit e Interit, në paraqitje të dobëta si ndaj Leganjesit apo Betisit, dhe kjo ia rrezikon objektivin në kampionat dhe në Champions./abcnews.al