Mbledhja e Qeverisë/Rama: Aksi Elbasan-Tiranë brenda vitit

schedule13:01 - 13 Mars, 2018

schedule 13:01 - 13 Mars, 2018

Infrastruktura rrugore ka qenë në vëmendje të mbledhjes së qeverisë të mbajtur në Elbasan. Ka qenë kryeministri Edi Rama që ka paraqitur vendimet për dy akset kryesore që ndikojnë këtë qark, rruga Elbasan-Tiranë që do përfundojë brenda këtij viti dhe ajo Qukës-Qafë Plloçë, përfshi edhe investime në ujësjellës e energjetikë.

Elbasani ka pritur qeverinë. Për të marrë vendimet e radhës jo për kënaqësira personale.

“Çdo muaj ne jemi në një qark, jo për eskursion, jo për turizëm për të përcjellë mesazhet tona, për të bërë të ditura projektet tona dhe për të qëndruar me këmbë në tokë”.

Siç ndodh rëndom vëmendjen e mbledhjes së muajit e merr qarku ku bëhet. Lajmi i mirë për Elbasanin e jo vetëm është përfundimi i rrugës që e lidh me Tiranën.

“Projekte skandaloze, kontrata skandaloze, menaxhim dhe rritje kostosh skandaloze, rruga më në fund finalizohet brenda këtij viti dhe lidhet përfundimisht Elbasani me Tiranën”.

Me të njëjtën vëmendje po trajtohet edhe rruga Qukës-Qafë Plloçë dhe një aks i ri rrugor i nisur në mandatin e parë, ai mes Elbasanit dhe Beratit duke bashkuar Cërrikun, Belshin, Urën Vajgurore dhe Kuçovën, që janë zona ku ka një zhvillim të vazhdueshëm bujqësor.

Në konferencën për shtyp, gazetarëve që nuk e pyetën drejtpërdrejtë për projektet e Elbasanit ju sugjerua të zgjohen nga ëndrrat.

“ Ju sugjeroj një ecje në shi për t’u zgjuar nga gjumi dhe shpresoj që herën tjetër do jeni plotësisht zgjuar për konferencën e ardhshme”.

/abcnews.al