Në selinë blu është mbledhur pasditen e së dielës Këshilli Kombëtar. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur se për sa kohë i është besuar drejtimi i partisë, nuk ka për të pasur kurrë përjashtime të propozuara nga ai.
Ndërsa shprehet se nuk mban njeri me forcë, Basha thotë se masat e propozuara ditën e djeshme nga Kryesia nuk janë përjashtime, por shkarkim nga funksionet për shkak të dhunimit të vendimeve të kryesisë.
“Për sa kohë më keni besuar PD-në nuk ka për të pasur kurrë asnjë përjashtim të propozuar nga unë. Nuk mbaj dot me forcë njerëz që nuk ndihen të lidhur me demokratët dhe vlerat tona. Prandaj dhe masat e propozuara nga kryesia nuk janë përjashtim por shkarkim nga funksionet për shkak të dhunimit të vendimeve të kryesisë dhe dëmtimit të interesave elektorale të PD,” deklaroi Lulzim Basha ndër të tjera.
Siç u bë e ditur edhe mbrëmjen e së shtunës pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë, në këtë mbledhje të sotme pritet që të votohet për shkarkimin e Edi Palokës, anëtarëve të kryesisë që morën pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit si dhe katër sekretarëve Belind Këlliçi, Ivi Kaso, Ervin Minarolli dhe Ledina Mandia. /abcnews.al/


