Mbi 50 emra për 6 bashki, Komisioni i Rithemelimit të PD-së nis përzgjedhjen

schedule15:51 - 26 Janar, 2022

schedule 15:51 - 26 Janar, 2022

Nga Juxhin Mustafaraj

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka përfunduar mbledhjen e kandidaturave në 6 bashkitë, ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Mbi  50 emra, mbështetës të levizjes se drejtuar nga Berisha,  kanë paraqitur ambicjen për të kandiduar në bashkitë e Shkodrës, Durrësit, Lushnjes, Dibrës, Vorës dhe Rrogozhinës. Ish-kryeministri Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij kanë njoftuar se do të mblidhen paraditen e së enjtes për të vendosur emrat finale që do t’i paraqiten bazës së demokratëve në këto 6 bashki për tu shprehur me votë për më të preferuarin.

Të dielën ne 30 janar, baza e demokratëve, përmes procesit të primareve, do të nxjerrë emrat e 6 kandidatëve me të cilat Komisioni i Rithemelimit do të garojë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Në orët e fundit, PD dhe Komisioni i Rithemelimit janë përfshirë në negociata me aleatët për të hyrë në një marrëveshje paraelektorale. LSI është regjistruar në KQZ dhe gjasat janë që në këto zgjedhje të marre pjese si një aleancë me Lëvizjen e zotit Berisha.

Nga 6 bashkitë ku do të ketë garë në 6 mars, Shkodra pritet të prodhojë  përballjen më të fortë elektorale për faktin se është një bastion historik i PD dhe ku secili prej kandidatëve të Bashës dhe Berishës kanë gjasa reale për të triumfuar.

Por situata e krijuar muajt e fundit dhe largimi i një numri të lartë funksionarësh nga dega e PD Shkodër ka sjellë edhe një dorëheqje me peshë në rradhët e PD. Helidon Bushati drejtuesi politik i PD në Shkodër i paraqiti Lulzim Bashës dorëheqjen nga pozicioni që mban, duke deklaruar se do të qëndrojë deputet i thjeshtë.

Kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga roli i Drejtuesit Politik për Qarkun e Shkodrës. Mendoj se me këtë tërheqje timen, krijohen mundësi për energji dhe impulse që do t’i shërbenin PD me synim përbashkimin. E po ashtu, hapen shanse për promovimin e emrave të rinj. Do të vazhdoj padyshim të jem përfaqësues dhe deputet i Partisë Demokratike dhe do të mbroj deri në fund interesat e qytetarëve të Shkodrës e në veçanti të mbështetësve tradicionalë e historikë të së djathtës”.

Sipas burimeve, tërheqja e Bushatit vjen pas situatës së krijuar me bazën e partisë në Shkodër, një pjesë e konsiderueshme e se cilës i janë bashkuar lëvizjes së ish-kryeministrit Berisha. Dorëheqja e Bushatit vjen 48 orë përpara takimit që Lulzim Basha do të zhvillojë në Shkodër, ku pritet të bëje publik edhe emrin me të cilin do të garojë PD në 6 mars për zgjedhjet vendore./abcnews.al