Marrëveshja me Serbinë/ Duriqi: Vendimi i gabuar për targat pati pasoja në negociata

schedule16:30 - 22 Mars, 2023

schedule 16:30 - 22 Mars, 2023

Visar Duriqi, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” komentoi deklaratën e presidentes Vjosa Osmani, e cila akuzon BE-në lidhur me marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Osmanit, Kosova është trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Serbia dhe se Albin Kurtit i janë propozuar versione të cilat ajo i quajti “të tmerrshme”.

Duriqi e cilësoi këtë deklaratë të presidentes si të vonuar ndërsa shtoi se vendimi i gabuar për targat, ku nuk u pyet as SHBA dhe BE, ka pasur pasoja në negociata.

“Mendoj që ne kemi parë që në këtë regjim të ri, që është VV kanë pasur një tendencë të përkeqësojnë raportet me faktorin ndërkombëtar. Më i madhi ka qenë kur as BE dhe as SHBA nuk u dëgjua në raport me targat. Kjo stërheqje e negociatave në dëm të Kosovës lidhet me vendimin e gabuar për targat. Kemi parë jo rrallëherë Osmanit i janë referuar si një notere personale e Kurtit.”, tha ai.

Ndërkaq, ai komentoi gjithashtu edhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili akuzoi Serbinë për mosrespektim të marrëveshjes. I pyetur nga gazetarja Linda Karadaku nëse mund të ketë një tërheqje nga marrëveshja e Ohrit, Duriqi tha:

“Mendoj që në Ohër kemi pasur një dakordim parimor që të fuqizohet më shumë se kaq roli i BE, janë marrë vesh që BE të marrë rol ekzekutiv dhe të vijë me listë se çfarë do të bëhet, që presidenti serb dhe kryeministri Kurti të mund të bëjnë politikën e tyre ditore ndërsa BE ka marrë një lloj garancie që mund të vijë në Kosovë dhe Serbi me listë se çfarë do të bëhet deri në momentin ku të arrihet një marrëveshje e nënshkrueshme. BE funksionon si sekretariat. Nuk kanë marrë të dyja palët rol ekzekutiv që të jenë faktorë kryesor në negociata por është fuqizuar BE. Kurti nuk po tregon asgjë më shumë sesa ajo që ka ndodhur nga të gjithë kryeministrat të përfshirë në negociata.“, tha Duriqi./abcnews.al