Manastirliu: Nuk bëjmë hapa pas, nga 1 qershori hapet gjithçka veç këtyre aktiviteteve

schedule14:55 - 29 Maj, 2020

schedule 14:55 - 29 Maj, 2020

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se pavarësisht rritjes së shifrave nga data 1 qershor do të vazhdojë plani i hapjes ashtu si ishte vendosur.

Ajo deklaroi se nga 1 qershori do të lejohet lëvizja në të gjithë territorin e vendit, hapen plazhet, çerdhet, kopshtet dhe kufijtë tokësorë.

“Nuk duhet harruar se rihapja kërkon vigjilencë individuale. Do vazhdojmë me planin tonë të rihapjes me lirinë e lëvizjes. Do të kërkohet sakrifica individuale.

LEXO EDHE: Manastirliu: Kjo do të jetë fundjava e fundit me kufizime, hiqet perimetri me zonat e kuqe

Është vendosur që ne të ndjekim planin e vendosur më herët pavarësisht rritjes së shifrave.

Nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin pa asnjë kufizim. Do të hapen çerdhet dhe kopshtet dhe kufijtë tokësore. Mbetet në fuqi karantina 14 ditë.

Nga data 1 qershor plazhet do të jenë të hapura me autorizime nga një autoritet i përkohshëm që është ngritur në këtë periudhë. Të gjithë të zbatojnë protokollet që do të bëhen publike

Do lejohen kampionatet sportive pa praninë e publikut. Do të hapen parqet. Po punohet për një plan për transportin publik por deri në miratimin e tij do qëndrojnë të mbyllura.

Do qëndrojnë të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot dhe clubet”, tha Manastirliu.

Deklarata e Manastirliut

Pas disa javësh masash kufizuese të marra në kohën e duhur, pas gjithë përpjekjes tuaj për zbatimin e tyre dhe rezistencës së secilit prej jush, ja dolem që të kemi kufizim të përhapjes së infeksionit. Edhe pse deri më sot kemi një ecuri të qëndrueshme të epidemisë, nuk duhet harruar se rihapja që ka filluar me faza para dy javësh, kërkon disiplinë dhe një sjellje individuale korrekte që i përshtatet normalitet të ri.

Këto dy javë të fundit kemi vijuar punën me intensifikimin e hetimit epidemiologjik. Rastet e katër ditëve të fundit tregojnë vatra të reja të infeksionit, të cilat po ndiqen. Analiza e situatës deri më sot na lejon hapjen, por kjo situatë do kërkojë gjithnjë e më shumë:

Vigjilencë –Distancim fizik – Higjienë personale

Nëse zbatojmë masat, protokollet e sigurisë gjatë punës, në aktivitetin tonë të përditshëm, do të mundemi të ecim përpara me planin e rihapjes. Nëse analiza epidemiologjike dhe kriteret do të na thonë se do duhet të tërhiqemi, do duhet të ngremë frenat e emergjencës.

Nisur nga vlerësimi epidemiologjik deri tani, në konsultim me Komitetin Teknik është vendosur që të ndjekim planin e miratuar në strategjinë e rihapjes dhe nga data 1 Qershor:

Të lejohet levizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, në të gjitha qytetet dhe qarqet e vendit

Të rihapen çerdhet dhe kopshtet publike dhe private duke zbatuar protokollet e sigurisë të miratuara

Të hapen kufinjtë tokësorë, duke pezulluar karantinimin dy javor, si një masë e cila është ndjekur nga vendet europiane. Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet si masë në raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcakuara nga ECDC – Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve.

Nga data 1 Qershor plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt. Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një Autoritet i Përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe do të administrojë lejet për vendosje të pajisjeve të plazhit nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçante për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe. Ndaj ftojmë të interesuarit të zbatojnë procedurat e publikuara, duke informuar së çdo kush që shkel rregullat në plazh do të penalizohet.

Do të lejohen nga data 1 Qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit sipas protokolleve të sigurisë, si dhe palestrat sipas protokolleve të miratuara.

Do të vijojë të jetë i mbyllur transporti publik, për të cilin po punohet me Mininistrinë e Infrastrukturës dhe Transporteve për një Plan i cili do të bëhet publik në një kohë të shpejtë.

Po kështu do të vijojnë të jenë të ndaluara, aktivitetet kulturore, kinema, teatër, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferenca, dëgjesa publike, tubimet e çdo lloji, duke bërë dhe një thirrje për të mos patur përsëritje të grumbullimeve masive, efektet e të cilave do të ishin shumë të dëmshme.

Ndaj një thirrje për më shumë përgjegjshmëri për të gjithë aktorët, palët politike, organizatat, që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të mos rrezikojmë duke thyer rregullat në një kohë kur virusi nuk është zhdukur dhe ku grumbullimet publike favorizojnë përhapjen e tij, në një kohë që çdo grumbullim, lëvizje dhe destinacion nëse konsiderohet jo i domosdoshëm të vlerësohet për t’u kryer në kohë apo forma të tjera të komunikimit./abcnews.al