Mali i Zi ka shënuar një tjetër progres në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. BE-ja dhe Mali i Zi kanë mbyllur negociatat për dy kapituj të tjerë, atë të lëvizjes së lirë të mallrave dhe kapitullin për sigurinë ushqimore.
Me këtë zhvillim, numri i kapitujve të mbyllur shkon në 23 nga 33 gjithsej që përfshihen në procesin e negociatave për anëtarësim.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka prezantuar një plan konkret për përmbylljen e procesit, sipas të cilit Mali i Zi mund të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti, ndërsa nënshkrimi i Marrëveshjes së Anëtarësimit parashikohet për qershor të vitit 2027.
Sipas këtij plani, gjatë muajit nëntor synohet mbyllja e pesë kapitujve të tjerë, përfshirë ata që lidhen me energjinë, transportin dhe tatimet. Ndërsa në dhjetor pritet të përmbyllen kapitujt e mbetur, mes tyre edhe kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit.
Pas përfundimit të negociatave, puna për hartimin dhe finalizimin e Marrëveshjes së Anëtarësimit pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2027. Nënshkrimi i saj është planifikuar për muajin qershor, pasi të merret miratimi i Parlamentit Evropian dhe vendimet përkatëse të institucioneve të BE-së.
/abcnews.al/


