Lidhjet me Rusinë/ish-strategu i Trump refuzon të përgjigjet në Komisionin Hetimor

schedule13:36 - 17 Janar, 2018

schedule 13:36 - 17 Janar, 2018

Ish-këshilltari i Donald Trump, Steve Bannon ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të komisionit që po heton lidhjet e supozuara të presidentit me Rusinë. Në fund të seancës, demokratët kanë akuzuar kreun e shtetit se i ka imponuar ish-vartësit të tij “kodin e heshtjes”.

Ish-kryestrategu i presidentit amerikan, Steve Bannon ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të bëra në adresë të tij në komisionin e posaçëm që po heton lidhjet e dyshuara të Trump me Rusinë. Banon ishte thirrur për të dëshmuar në Komisionin për çështjet e brendshme për kohën gjatë të cilës ka punuar për zotin Trump. Ai është pyetur në një seancë me dyer të mbyllura që ka zgjatur 10 orë. Në përfundim, një eksponent demokrat i komisionit ka deklaruar se, me shumë mundësi Banon kishte marrë urdhër për të kyçur gojën. Përfaqësuesi Adam Schiff ka thënë se gjatë seancës, avokati i zotit Bannon ka cituar të ashtuquajturin “privilegj ekzekutiv”, që i lejon presidentit të Shteteve të Bashkuara të mbajë të fshehta informacionet. “Bannon dhe avokati i tij i mëshuan me forcë privilegjit ekzekutiv, gama e të cilit është shumë e gjerë”, ka deklaruar ndërkohë Jim Himes, një tjetër anëtar i komisionit. Komisioni i bëri thirrje ish-këshilltarit të presidentit që të paraqitet për një seancë të dytë, duke qenë se në të parën ai u shfaq vullnetarisht. Në përfundim të saj, përfaqësuesit ligjorë të zotit Bannon nuk kanë bërë asnjë koment. Ndërkohë, e pyetur nëse Shtëpia e Bardhë i kishte rekomanduar atij të mos u përgjigjej pyetjeve, zëdhënësja Sarah Sanders ka thënë: “Askush nuk e ka inkurajuar atë të bëjë tjetër gjë veç transparencës”. Ajo ka shtuar se Kongresit i është dashur të konsultohet me selinë presidenciale përpara se të pajisjej me të dhënat konfidenciale./abcnews.al