Lajmet e rreme, Edi Rama: Do të rritet gjoba për shpifësit

schedule22:25 - 2 Dhjetor, 2018

schedule 22:25 - 2 Dhjetor, 2018

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rritje të gjobave kundër lajmeve të pavërteta në media. Para pjesëmarrëse të konferencës “Agjencitë e lajmeve kundër fake news-it” Rama theksoi ndërmarrjen e hapave konkretë për formalizimit ligjor të portaleve online në Shqipëri. 

Përpara pjesëmarrësve të konferencës “Agjencitë e lajmeve kundër fake news-it”, kryeministri Edi Rama listoi tre lajmet e rreme që krijuan sipas tij më shumë përshtjellim dhe shqetësim në opinionin publik në vend.

“Njëri tre vjet më parë jep lajmin që qeveria kishte vendosur të groposte në Shqipëri mbi 1400 kontenierë me lëndë radioaktive. Më pas lajmi i këtij viti kur u përhap fjala se qeveria kishte vendosur në një marrëveshje të fshehtë me BE që të spostonte në Shqipëri 600 mijë refugjatë ish luftëtarët e ISIS. Mund të rëndisja dhe lajme të tjera, lajme qesharake si marrëveshja e imja me Presidentit të Rusisë për t’i shitur atij një qytet të tërë në Shqipëri”, tha Rama.

Kryeministri Rama shprehu nevojën e formalizimit ligjor të medias online, duke theksuar se më shumë se 600 portale në vend nuk dihet se kush i zotëron, apo kush i financon. Ai paralajmëroi rritjen e gjobave për shpifësit.

“Kjo është një situatë prej xhungle ku ne synojmë të vendosim një rregull normaliteti si në vendet e tjera. Ne do të rrisim gjobën për lajmet e rreme dhe për shpifjen siç unë e quaj me një fjalë të vetme në shqip. Për të ndërhyrë edhe të ndëshkuar përhapësin e shpifësit. Që do të thotë nëse një media është përgjegjëse për një lajm të rremë ose shpifje, cilido që e merr dhe e replikon është po aq përgjegjës sa media e origjinës”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi rëndësinë e përcaktimeve ligjore për mbrojten e të drejtës së autorit dhe krijimin e një loje me rregulla të qartë, pa cënuar lirinë themelore të fjalës së lirë dhe të informimit të publikut./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!