Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë për shkollorët në mundje

schedule15:20 - 20 Maj, 2018

schedule 15:20 - 20 Maj, 2018

Kukësi e Tirana u shpallën fitues të Kupës së Shqipërisë për moshat e reja në mundje. Edhe sportistët më të mirë individualë ishin të kuksianëve dhe të tiranasve.

Nuk ishte turneu i më të mirëve, por ai i së ardhmes.

Mundja zhvilloi Kupën e Shqipërisë për dy kategori fare të njoma të moshave, atë për shkollorët dhe për para të rinjtë, pra U17.

Konkurrimi ishte i fortë në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, me 7 klube pjesëmarrëse, dhe me nga 10 kategori peshash për të dy nivelet e moshave.

Tek shkollorët figurën më të mirë e bëri Kukësi, me skuadrën veriore që triumfoi në 4 pesha, e duke u shpallur fituese e Kupës.

Edhe sportisti më i mirë i takoi kuksianëve dhe ai ishte më i vogli prej tyre, Samuel Saraçi që triumfoi në peshën deri 32 kg.

E ndryshme situata për para të rinjtë.

Tirana arriti të dominonte ndaj rivalëve, duke fituar po 4 pesha, aq sa Kukësi tek shkollorët.

Kryeqytetasit ia dolën në peshat deri 42, 50, 69 e deri 76 kg.

Më i miri i Kupës për U17 u shpall Klevis Preçi i Tiranës, që gjithashtu ishte më i vogli ndër fitues, në peshën deri 42 kg.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, e cilësoi aktivitetin si një sukses, ndërsa për herë të parë ish-kampioni i madh Sahit Prizreni u shfaq në rolin e sekretarit të përgjithshëm.

Kuksiani zëvendëson Ndriçim Spahiun që nuk mund të vazhdonte më, për shkak të moshës.

Tashmë, mundja do të nisë përgatitjet për Kampionatin Ballkanik që zhvillohet po në Tiranë, në muajin tetor. /abcnews.al