Kualifikimet e Laçit dhe Teutës, Duka: Krenar për ju, bravo edhe Vllaznisë e Partizanit!

schedule23:31 - 29 Korrik, 2021

schedule 23:31 - 29 Korrik, 2021

Armand Duka nuk e ka humbur rastin të urojë Laçin dhe Teutën për kualifikimin në turin e tretë të Conference League. Kreu i FSHF ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale dhe nuk harron të vlerësojë edhe Vllazninë e Partizanin, që u eliminuan nga AEL Limassol dhe Anderlecht.

“Krenar për përfaqësimin e skuadrave shqiptare në Europë, që përsëri konfirmuan rritjen e vazhdueshme të klubeve tona.  Super të merituara kualifikimet e Teutës dhe Laçit, dy skuadrat tona që do të garojnë në turin e tretë të Europa Conference League!

Urimet më të mira për klubin durrsak dhe atë kurbinas për punën e shkëlqyer dhe paraqitjen që na bën të gjithëve krenarë.

Shpresoj shumë që Laçi dhe Teuta të na entuziazmojnë sërish me rezultate pozitive dhe të na dhurojnë emocione të bukura.

Dua gjithashtu të vlerësoj paraqitjet e Partizanit dhe Vllaznisë në Conference League, pavarësisht se u eliminuan në turin e dytë. I gjithë komuniteti i futbollit shqiptar është krenar për atë që dhatë në fushën e lojës dhe për karakterin që keni treguar”, shkruan Duka. /abcnews.al