Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Ukraina thotë se sulmi ndaj anijes ruse në Libi ishte vetëmbrojtje

schedule19:33 - 24 Nëntor, 2026

schedule 19:33 - 24 Nëntor, 2026

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka deklaruar të martën se sulmi me dronë ndaj një anijeje ushtarake ruse dhe një anijeje transporti në ujërat e Libisë gjatë fundjavës, ishte një akt legjitim vetëmbrojtjej. Ai e ka bërë këtë deklaratë pas kritikave nga qeveria në Tripoli.

Sybiha ka thënë se si anijet luftarake ruse, ashtu edhe anijet e transportit që bartin pajisje ushtarake, janë objektiva legjitime. Ai ka theksuar se e drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje garantohet nga Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Qeveria e Unitetit Kombëtar e Libisë, me seli në Tripoli, ka dënuar të hënën operacionin ushtarak ukrainas, gjatë të cilit u fundos korveta ushtarake ruse Merkury në portin lindor të Bengazit. Ajo ka deklaruar se Libia nuk do të pranonte të përfshihej në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.



Bengazi kontrollohet nga komandanti ushtarak Khalifa Haftar, Ushtria Kombëtare Libiane e të cilit ka lidhje me Rusinë. Ndërkaq, Qeveria e Unitetit Kombëtar, e njohur ndërkombëtarisht dhe me seli në Tripoli, kontrollon pjesën perëndimore të Libisë.

“Ukraina nuk po e ‘tërheq’ askënd në luftë dhe as nuk po e ‘zhvendos’ luftën diku tjetër”, ka shkruar Sybiha në Telegram.

“Ukraina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Libisë. Theksojmë se veprimet tona synojnë kundërshtimin e agresionit të armatosur rus dhe nuk kanë për qëllim dëmtimin e Libisë apo të popullit të saj”, ka shtuar ai.

E drejta ndërkombëtare nuk e kufizon të drejtën për vetëmbrojtje vetëm në territorin ku ndodh agresioni. Ajo mund të ushtrohet edhe në territorin e shtetit agresor ose në ujërat ndërkombëtare, ka thënë Sybiha.

Sipas tij, është Rusia ajo që po rrezikon vendet e treta, duke përdorur infrastrukturën e tyre civile për qëllime ushtarake.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) ka thënë se korveta ushtarake ruse kishte qëndruar për disa ditë në portin e Bengazit për t’u furnizuar me karburant dhe pajisje të tjera, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi, ndërsa shoqëronte anije transporti që mund të bartin furnizime ushtarake për Rusinë.

Qeveria në Libinë lindore, me seli në Bengazi, ka deklaruar të hënën se kishte të dhëna se dronët detarë ishin nisur nga pjesa perëndimore e Libisë. Ajo i ka kërkuar OKB-së të hetojë pretendimet se Ukraina ka vendosur ekspertë ushtarakë në këtë zonë.

Në një intervistë të publikuar të martën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se Ukraina ishte përgjegjëse edhe për një sulm tjetër me dronë, të kryer të shtunën ndaj një anijeje ruse transporti në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Finlandës.

Ai ka thënë se anija Sparta II ishte objektiv legjitim, pasi transportonte armë.

Ministria ruse e Transportit ka deklaruar të martën se anija e dëmtuar ishte tërhequr drejt portit rus të Shën Petersburgut.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!