Kryeministri Rama sot në Greqi, do të diskutojë me Mitsotakis çështjet mes dy vendeve

schedule09:01 - 29 Tetor, 2019

schedule 09:01 - 29 Tetor, 2019

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë jo zyrtare në Greqi, në të cilën do të ketë edhe një takim me homologun e tij Qiriakos Micotaqis. Që pas ardhjes në pushtet të Konservatorëve në Greqi, ky është takimi i dytë mes dy kryeministrave, pas atij të zhvilluar rreth një muaj më parë në Neë York, ku Rama dhe Micotaqis ishin në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Shefi i qeverisë shqiptare do të pritet sot në orën 13:30 në selinë e kryeministrisë greke nga homologu i tij Micotaqis.

Takimi i dy kryeministrave besohet se do të fokusohet në çështjet për të cilat Tirana dhe Athina kanë nisur bisedime prej më shumë se 3 vitesh, por nuk kanë konkluduar ende një marrëveshje. Të tilla janë kufiri detar, të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe të emigrantëve tanë në Greqi si dhe mbështetja e fqinjit tonë jugor për Shqipërinë në rrugën e negociatave.

Po sot në Greqi kryeministri shqiptar Edi Rama do të marrë pjesë edhe në një samit të BE me Ligen Arabe, ku është parashikuar të mbaje dhe një fjalim. /abcnews.al