Kryeministri pedagogëve të UT: Jeni bishti i kavallit

schedule15:26 - 14 Shkurt, 2018

schedule 15:26 - 14 Shkurt, 2018

Ligji i arsimit të lartë duhet zbatuar. Këtë përgjigje i dha kryeministri Edi Rama pedagogëve, të cilët janë shprehur për ndryshim të tij. Shefi i qeverisë përdori një gjuhë të ashpër me akademikët, ndërsa përpara Senatit të Universitetit të Tiranës shpjegoi edhe arsyen e vonesave të pagave.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla debatoi me atë të Financave Arben Ahmetaj dhe kostot ranë mbi pedagogët.

Kryeministri Edi Rama e shpjegoi arsyen e vonesës së pagave në një takim me Senatin e Universitetit të Tiranës.

 “Vonesa e pagave është një shembull shumë i qartë i faktit që reforma është sfidë edhe për ne që e kemi udhëhequr dhe e kemi kthyer në legjislacion. Sepse na ka vonuar ne vetë si qeveri një debat midis ministrisë së Arsimit dhe të Financave, për çfarë? Për trashëgiminë e grantit të pakushtëzuar. MASR në këndvështrimin tim me të drejtë këmbëngul që granti i pakushtëzuar trashëgohet automatikisht dhe administrohet nga vetë universiteti, ministria e Financave këmbëngul që ‘po, të trashëgohet” po çdo vit duhet një aprovim i Ministrisë së Financave për trashëgueshmërinë”

Shefi i qeverisë u tregua i ashpër me pedagogët e Universitetit te Tiranes ndersa iu permendi rezultatet e akreditimit te kryer nga agjencia britanike.

 “Universiteti i Tiranës nuk doli mirë nga akreditimi, dhe nuk e bënë as ekspertët e PS e as kushërinjtë e mij apo të Dhori Kules. Sfida është që në testimin tjetër çështjet e ngritura të jenë adresuar. Jeni bishti i gjithë universiteteve të Republikës së Shqipërisë, sipas britanikëve, kushërinj këtu britanikë nuk ka, ndaj i morëm nga Italia që të mos dilnim kushërinj. Për këtë s’ka faj as reforma, as ligji, as aktet nënligjore dhe besoj nëse flasim për përgjegjësi hajde ta ndajmë, por secili në pozicionin e vet”

Ironinë kryeministri nuk ja kurseu pedagogëve as kur i zgjati mikrofonin për t’i dëgjuar fjalën.

Rama:“Na profesor, fol tani se ta zgjidha hallin e bukës së gojës” –tha

Koni: “Nuk e kam përmenduar unë bukën e gojës, kemi problem administrimin”

Hoxha: Është e vërtetë ajo që tha profesori po hasim pengesa nga administrimi, ka forca që nuk na lejojnë të veprojmë”

Rama: “Unë e di që po erdhi puna tek pika fundore, ne na jep ligji të drejtën të veprojmë dhe atëherë pason ndëshkimi”.

Bordi i administrimi të universiteteve sipas pedagogëve ka dështuar prandaj drejtues departamentesh dhe fakultetesh edhe pak ditë më parë i kërkuan kryeministrit të ndërhyjë. Përmes një deklarate të përbashkët stafet akademike kërkuan ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë, por përgjigja e shefit të qeverise ishte e prerë.

“Mund të çohen nja 10-15 pedagogë e të thonë të ndryshohet ligji, kjo nuk ndodh, nuk bën vaki, ligji duhet zbatuar. Por ligjet mund të ndryshohen kur shihet që nuk funksionon diçka. Mos me çoni tek pika fundore, se ligji na e lejon te ndërhyjmë, por unë nuk dua. Po vajtëm tek ajo pikë, aty duhen prerë koka”.

Në bordin e administrimit  qeveria është në minorancë,- tha kryeministri, sipas të cilit problemin Universiteti i Tiranës e ka me veten, pasi edhe anëtarët e bordit janë të zgjedhur prej tij./abcnews.al