Kriza e emigrantëve: Viti që ndryshoi Evropën

schedule21:55 - 31 Gusht, 2020

schedule 21:55 - 31 Gusht, 2020

Pesë vjet më parë më shumë se një milion njerëz kaluan në Evropë. Shumë prej tyre pavarësisht rrezikut për jetën ndërmorën udhëtime të rrezikshme në përpjekje për t’i shpëtuar konfliktit dhe për të gjetur një jetesë më të mirë.

Por fluksi i papritur i qytetarëve nga vende të ndryshme nxiti një krizë si humanitare po ashtu edhe politike, ndërsa nga ana tjetër Evropa u përpoq t’i  përgjigjej.

Ndërkohë mijëra persona humbën jetën duke u përpjekur të largoheshin, disa prej vendeve “hapën dyert”, por të tjerë kundërshtuan dhe mbyllën  kufijtë.

Ndikimi i këtij emigracioni masiv ndjehet edhe sot e kësaj ditë.

Situata dramatike të raportuara nga korrespondentë të mediave janë përcjellë në çdo moment. Lufta e Sirisë “vendosi”  Turqinë në frontin e historisë së emigrimit. Kishte një fluks të madh njerëzish nga Siria të drejtuar për në Turqi dhe më pas në Greqi në vitin 2015.

Për kamerat kanë folur qytetarë të shumtë të cilët kanë treguar, frikën arsyen dhe rrugëtimin e largimit në vendet e Evropës.

Lara Tahan një mësuese sirianë ka treguar se jeta e saj para luftës në vitin 2011 ka qenë e mirë.

“Unë isha mësuese e matematikës në Alepo, kisha dy fëmijë. Por ndërsa lufta filloi un e dija se nuk kishim më të ardhme, kështu që u largova në Turqi pasi ky ishte opsioni më lehtë”, shprehet ajo, shkruan BBC.

Por më tej ajo shton se dy motrat e saj kishin jetuar në Gjermani dhe në momentin që në Turqi nuk po siguronte të ardhme për veten dhe fëmijët e saj vendosi të nisej për në Gjermani, ndërsa thekson se udhëtimi ishte i vështirë dhe se pavarësisht kësaj, njerëzit atje shprehet Tahan, ishin të hapur dhe mikpritës ndaj refugjatëve.

Nga ana tjetër përgjigja e Evropës ishte premtuese duke u shprehur se do të menaxhonte këtë situata kaotike.

Sidomos gjetja e trupave të  pajetë të dhjetëra emigrantëve që u zbuluan në pjesën e prapme të një kamioni që kishte udhëtuar nga Hungaria në Austri solli një reagim nga autoritetet.

Një moment tronditës që nxori në pah çështjen e kontrabandës së njerëzve dhe dëshpërimin e atyre që ishin kapur në krizë për shkak të mbylljes së kufijve nga disa shtete.

Një reagim i menjëhershëm erdhi nga Angela Merkel e cila në marrëveshje me kancelarin austriak, ra dakord të pranonte ata persona që mbetën të mbërthyer në Hungari.

Mijëra qytetarë u dorëzuan në stacionin e Budapestit të cilët më pas u drejtuan drejt për në Vjenë.

Sakaq qasja e Gjermanisë ishte të përpiqej të siguronte strehim për ardhurit dhe që asnjë zonë të mos prekej në mënyrë disproporcionale.

Strehimi dhe punësimi kanë qenë dy nga çështjet më të mëdha.

Nga ana tjetër Suedia ishte një nga vendet që ka pasur një shtrëngim të madh të akomodimit në qytetet kryesore të këtyre qytetarëve.

Edhe sot  është ende e vështirë për emigrantët pavarësisht se shumë prej atyre që u vendosen në vende të ndryshme të botës janë integruar, mësuan gjuhën dhe kanë ndërtuar jetën e tyre e cila ende ka shumë probleme, por qindra mijëra njerëz – sirianë, irakianë dhe shumë të tjerë, po hedhin rrënjë.

 “Unë pres që të marr pasaportën time gjermane. Ne vendosëm të vinim këtu për të pasur jetë më të mirë dhe për të jetuar me dinjitet dhe siguri”, shprehet Lara Tahan./abcnews.al/