Kremlini nuk ka forcë të hapë një front të dytë të luftës në Bjellorusi

schedule09:16 - 30 Nëntor, 2022

schedule 09:16 - 30 Nëntor, 2022

Nga Michelangelo Freyrie “Linkiesta

Përktheu Alket Goce-abcnews.al

Vdekja e papritur e Ministrit të Jashtëm të Bjellorusisë, Vladimir Makei, ka ngjallur një mori spekulimesh, duke shtuar dyshimet për përfshirjen e Minskut në pushtimin rus të Ukrainës. Në muajt e fundit, Bjellorusia ka marrë në fakt një rol të paqartë në luftën që po e shkatërron vendin fqinj.

Nga njëra anë, regjimi i Lukashenkos bëri menjëherë përpjekje për të shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë në konflikt, duke vendosur kufizime ndaj mbështetjes që po i jepte Moskës.

Por nga ana tjetër, marrëdhënia e vasalitetit që e nënshtron regjimin e tij ndaj Kremlinit, do ta bënte shumë të vështirë për presidentin bjellorus që t’i shmangej një kërkese të qartë për ndërhyrje.

Edhe nëse nuk ka elementë konkretë që të dyshohet se ishte një vdekje e dhunshme, dalja nga skena e Makeit, duket se vendos “gozhdën” e fundit në “arkivolin” e politikës së jashtme ambivalente (ose “shumë-vektoriale”, siç u riemërtua nga analistët) që ndjek regjimi, raporton abcnews.al.

Makei ishte një figurë shumë e afërt me Lukashenkon, dhe për dekada ai ka qenë simboli e përpjekjeve të përsëritura për një afrim midis Bjellorusisë dhe Bashkimit Evropian. Dhe më vonë simboli i rikthimit në një politikë pro-ruse, veçanërisht pas revolucionit të ndërprerë të vitit 2020.

Në këtë kuadër mund të shpjegohet edhe reagimi i disa analistëve rusë, si politologu Maxim Sharov, të cilët e shohin vdekjen e ministrit bjellorus si fundin e çdo perspektive për dezertimin e Bjellorusisë nga kampi Kinë-Rusi.

Mbijetesa e regjimit të tij, është tani në duart e forcave ruse të sigurisë dhe kredive financiare të garantuara nga Kremlini, që sot më shumë se kurrë nuk ka asnjë interes që aleati i tij më i vendosur (dhe tanimë i fundit) në Evropë të rrëzhet nën presionin e protestave popullore.

Por as kjo nuk e pengoi Moskën që t’i imponohej Minskut. Midis 24 shkurtit dhe prillit, një pjesë e madhe e operacioneve ushtarake ruse kaluan përmes Bjellorusisë, e lidhur me Rusinë përmes “Shtetit Unitar”, një subjekt juridik pseudo-federativ, i cili për vite me radhë ka parashikuar një bashkim progresiv të dy ish-republikave sovjetike, raporton abcnews.al.

Ky konstrukt kushtetues, ka çuar në nivele të larta të ndërveprueshmërisë midis forcave të armatosura të të dyja vendeve, përfshirë ato në nivelin logjistik dhe atë infrastrukturor.

Është e qartë se pa mbështetjen e Minskut, ofensiva ndaj Kievit e nisur që në orët e para të pushtimit nisi pikërisht nga territori bjellorus, dhe pse në mungesë të përfshirjes së trupave të Lukashenkos, nuk do të ishte e mundur të orkestrohej një operacion kaq kompleks dhe i rrezikshëm.

Hekurudhat bjelloruse, ishin arteria kryesore e furnizimit në frontin verior të “operacionit special”. Edhe sot një numër i konsiderueshëm fluturimesh dhe sulmesh raketore kundër objektivave civilë në Ukrainë janë nisur nga bazat ruse në territorin bjellorus.

Aktivizimi në mesin e muajit tetor i një grupimi rajonal forcash ruso-bjelloruse, të dislokuara në jug-perëndim të vendit, bëri që shumë njerëz të spekulonin se mund të ishte e afërt hyrja e Minskut në luftë. Gjithsesi ky kërcënim konsiderohet ende i largët edhe nga vetë Kievi, që  megjithatë i ka marrë masat për forcimin e mbrojtjes në atë pjesë të kufirit.

Në fakt, hyrja e Bjellorusisë në luftë do të shkaktonte jo pak probleme për shtabin e përgjithshëm rus, që sot përballet me avantazhe shumë të pakta. Para së gjithash është çështja gjeografike:vija aktuale e frontit shtrihet për rreth 1 mijë kilometra, nga Deti i Zi deri në lumin Oskil.

Ndërsa vlerësimet e sakta mbi numrin e trupave ruse (përfshirë milicinë Rosgvardia, mercenarët dhe trupat separatiste) nuk janë të disponueshme, ne e dimë se pushtuesit e kishin shumë të vështirë të mbanin një numër mjaft të lartë njerëzish për çdo kilometër të frontit.

Rihapja e një fronti të dytë, këtë herë të përhershëm dhe jo të kufizuar nga neutraliteti ‘de jure’ i Bjellorusisë, do të dyfishonte gjatësinë e frontit, duke arritur në mbi 2000 km, dhe anuluar avantazhet e tërheqjeve strategjike dhe mobilizimit të pjesshëm.

Për më tepër, kontributi që mund të jepnin forcat e armatosura bjelloruse, do të ishte shumë i kufizuar. Ushtria e përhershme ka një personal prej vetëm 10.000 ushtarësh, një shifër modeste në krahasim me qindra mijëra ushtarët e mobilizuar nga të dyja palët.

Gjithashtu, nuk ka gjasa që bjellorusët të jenë në gjendje të armatosen siç duhet, duke i përkeqësuar kështu dilemat industriale dhe logjistike të ekonomisë ruse. Për më tepër, nuk duhet nënvlerësuar rreziku që do të lindte nga një përpjekje për t’u mobilizuar kundër një popullsie thellësisht armiqësore ndaj luftës dhe e nënshtruar nga represioni i përhershëm nga ana e regjimit.

Janë të njohura veprimet guerile kundër kolonave të logjistikës ruse që kalojnë tranzit në sistemin hekurudhor bjellorus. Edhe dezertimi në masë i pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe ushtrisë gjatë verës, tregon se besnikëria e trupave dhe zyrtarëve bjelloruse nuk do të ishte aspak e sigurt, raporton abcnews.al.

Atëherë, si mund të shpjegohet zhurma mediatike rreth hyrjes së pamundur të Lukashenkos në luftë? Përtej irracionalitetit që e ka udhëhequr deri më sot strategjinë ruse, që ka qenë më shumë e kalibruar në çështjet e domosdoshmërisë politike sesa atyre ushtarake, është e pamohueshme që Bjellorusia ka filluar të luajë një rol më të rëndësishëm në konceptin operacional rus.

Ky vend po luan tani luan rolin e një trampoline të madhe në fushatën ruse të bombardimeve, dhe është shumë i dobishëm për procesin e mobilizimit. Disa mijëra të mobilizuar u transferuan në Bjellorusi për stërvitje, ndoshta për të kompensuar mungesën e oficerëve të trajnimit në Rusi.

Përveç kësaj, një numër i konsiderueshëm mjetesh luftarake të këmbësorisë T-72, municione dhe tanke janë transferuar nga rezervat bjelloruse në Rusi. Arsyetimi zyrtar (‘modernizimi’ i sistemeve sovjetike), do të sugjeronte një rritje të nivelit të përgatitjes ushtarake nga Minsku.

Por vëzhguesit ndërkombëtarë dhe grupimet opozitare, janë të bindur se kjo sasi pajisjesh është menduar të shkojë për trupat ruse të angazhuara në rajonin e Donbasit. Nëse kësaj i shtohen edhe raportet mbi shtypjen e mijëra fletë-thirrjeve nga autoritetet bjelloruse për rekrutimin (një praktikë që gazeta e pavarur ruse Meduza, raporton se kishte ndodhur tashmë në vitin 2020), atëherë shpjegohet se përse qasja jo-luftarake e Bjellorusisë është parë me kaq shumë dyshim.

Megjithatë, ka të ngjarë që neutraliteti aktual të jetë shumë më i dobishëm për të gjithë aktorët e përfshirë, duke shmangur kësisoj një zgjerim të konfliktit. Mbetet për t’u parë nëse interesat e dukshme ushtarake të Moskës, brishtësia e regjimit bjellorus dhe kujdesi i Brukselit dhe Uashingtonit, do të mjaftojnë për të shmangur një gjakderdhje tjetër të padobishme.

/abcnews.al