Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, në kuadër të një ristrukturimi të kabinetit qeveritar.
Vetë Fedorov konfirmoi largimin e tij të mërkurën, duke deklaruar se kishte qenë “një nder i madh t’i shërbeja popullit ukrainas si ministër i Mbrojtjes”.
Shkarkimi i tij kishte qenë në qendër të spekulimeve që prej njoftimit për ndryshimet në qeveri, pasi Fedorov konsiderohej një nga figurat më të vlerësuara për punën e tij në modernizimin e sektorit të mbrojtjes.
Gjatë mandatit të tij gjashtëmujor, Fedorov përmendi si arritje ndërprerjen e sistemeve Starlink për forcat ruse, operacionet kundër logjistikës ruse në Krimenë e pushtuar dhe nisjen e reformave ushtarake.
Ai pritet të zëvendësohet nga ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, i cili ka drejtuar Policinë Kombëtare të Ukrainës nga viti 2019 deri në vitin 2023 dhe më pas mori postin e ministrit të Brendshëm pas vdekjes së paraardhësit të tij, Denys Monastyrsky.
Sipas raportimeve, një nga arsyet kryesore të vendimit të Zelenskyt lidhet me çështjen e mobilizimit dhe rekrutimit ushtarak. Mospajtimet mes Fedorov dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, për mënyrën e reformimit të Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet se kanë ndikuar në këtë vendim.
Përplasja është përshkruar si një dallim mes një menaxheri të ri me qasje inovative dhe një gjenerali me përvojë tradicionale ushtarake.
Fedorov pranoi se gjatë mandatit të tij nuk arriti të përfundonte transformimin e plotë organizativ të Ministrisë së Mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s, duke thënë se duheshin ndërmarrë hapa edhe më të vendosur për largimin e personave që pengonin ndryshimet.
Largimi i tij ka shkaktuar reagime në Ukrainë. Fedorov, i cili më herët ka shërbyer si zëvendëskryeministër dhe ministër i Transformimit Digjital, është vlerësuar për zhvillimin e platformës Diia, që solli shumë shërbime shtetërore online për qytetarët.
Ai gjithashtu ka pasur rol të rëndësishëm në zhvillimin e teknologjive ushtarake dhe prodhimin e dronëve gjatë luftës kundër Rusisë.
Kritikët e vendimit të Zelenskyt kanë shprehur shqetësim se largimi i një figure të konsideruar efektive mund të dobësojë përpjekjet për reforma në mbrojtje.



