Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar edhe të hënën aksionin e saj para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
PDK-ja paralajmëroi se do t’i dërgojë sërish letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se qëllimi i aksionit është t’i kërkohet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në konstituimin e tij.
“Jam këtu bashkë me krejt kolegët e mi nga Partia Demokratike e Kosovës për të bërë një pyetje të vetme për deputetin Kurti, i cili ka uzurpuar pozitën e kryeministrit bashkë me ministrat e tij. Që nga dita kur e kanë dhënë betimin si deputet, jo por që nga certifikimi i rezultateve, ata qëndrojnë ilegalisht në pozicionet të cilat i ushtrojnë edhe sot, për çka dhe ne jemi mbledhur sot këtu për të mos e lejuar hyrjen e tij në zyrat e kryeministrisë”, tha ajo.
Hoxha kërkoi nga Kurti që, në vend të bllokimit të Kuvendit, të marrë pjesë në seancën konstituive dhe të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.


