Klasikja e Shqipërisë, Vllaznia “blindon” mbrojtjen, Toshevski dhe Totre mungesat e Shehit

schedule11:55 - 11 Mars, 2022

schedule 11:55 - 11 Mars, 2022

Ditën e shtunë ora 16:45 vëmendja e të gjithë sportdashësve do të jetë në “Loro Boriçi”, aty ku do të luhet edhe supersfida e javës së 25-të, klasikja mes Vllaznisë dhe Tiranën.

Një duel që pritet të jetë i luftuar mes bardhebluve dhe shkodranëve, me skuadrat që i kanë dhënë edhe tonin kampionatit shqiptarë ndër vite.

Në këtë përballje skuadrat vijnë nga barazime, kryeqytetasit barazuan në derbi me Partizanin, ndërsa kuqeblutë me Kukësin.

Për këtë duel Vllaznia ka “blinduar” repartin e mbrojtjes. Shkodranët do të ketë të plotë repartin e mbrojtjes pasi Adili ka shlyer pezullimin, ndërsa kapiteni Gurishta është rikuperuar nga dëmtimi dhe është në formë për të luajtur ndaj bardhebluve.

Një lajm i mirë për trajnerin Thomas Brdaric pasi në një ndeshje të tillë përballë sulmit më të mirë të kampionatit i duhet t’i ketë të gjithë titullarët e mbrojtjes në dispozicion. Dy mungesat e vetme për ndeshjen ndaj Tiranës do të jenë ato të Da Silvës dhe Jonuzit për shkak dëmtimi.

Ndërkohë për trajnerin Orges Shehi, mungojnë dy titullarë. Totre dhe Toshevskin, ku të dy lojtarët janë të pezulluar me karton e për këtë arsye nuk do të kenë mundësi që të ndihmojnë skuadrën në sfidën e kësaj jave.

Trajneri Shehi po mendon për formacionin që do të hedhë në fushë, ndërsa alternativat nuk mungojnë. Tekniku i skuadrës kryeqytetase po mendon që të aktivizojë Tolin si mbrojtës të djathtë dhe Hoti në mesfushë. /f.a/abcnews.al