“Kjo është strategjia për të larguar Bashën”, Berisha tregon nëse do të kthehet në krye të PD

schedule19:39 - 16 Shtator, 2021

schedule 19:39 - 16 Shtator, 2021

Lideri historik i demokratëve Sali Berisha ka nisur turin e takimeve në misionin që ka marrë tashmë, siç ka deklaruar ai, për t’i kthyer sovranitetin partisë.

Ndërsa e ka cilësuar si një lider të thyer që më parë duhej të kishte dhënë dorëheqjen sesa të shkelte statutin e partisë prej presioneve të të huajve, Berisha ka treguar edhe strategjinë që do të ndjekë për të larguar Lulzim Bashën nga drejtimi i PD.

Ish-kreu i PD u shpreh se synohet mbledhja e 1,500 firmave të delegatëve të Kuvendit, pas të cilave do të thirret Kuvendi Kombëtar ku do të kërkohet që për vendimin e Bashës të shprehet çdo anëtar i PD në të gjithë vendin.

Berisha tregoi se do t’u kërkojë demokratëve që të mos votojnë kurrë një humbës.

“Synojmë ndërgjegjësimin e demokratëve. Do mblidhen firmat e 1500 delegateve të Kuvendit, pas mbledhjes së firmave do thërrasim Kuvendin Kombëtar. Do t’i kërkojmë Kuvendit Kombëtar që për vendimin e Bashës të shprehet çdo anëtar i PD, në të gjithë Shqipërinë. T’i themi demokratëve se me Bashën fitore nuk ka. Unë do t’u thoja demokratëve të mos votojnë kurrë humbës. Humbësi në fitore nuk të çon. Nëse nuk të çon ky, hapi rrugën tjetrit.”

I pyetur nga simpatizantët në sallë nëse do t’i kthehet udhëheqjes së partisë edhe një herë, Berisha nuk e përjashtoi si mundësi duke thënë se kjo mbetet të përcaktohet nga demokratët. /abcnews.al/