Jo të gjithë duan të ikin, mjeku specializant: Ëndërroj për të punuar në vendin tim

schedule16:59 - 24 Janar, 2021

schedule 16:59 - 24 Janar, 2021

Nga Ema Shazivari

Frenki Vila është në vitin e fundit të specializimit si mjek kirurg. Pjesën më të madhe të ditës e kalon në shërbimin e kirurgjisë në QSTU. Për 2 muaj përfundon ciklin e studimeve, por nuk parashikon do të ardhmen.

Thotë me siguri që nuk do të largohet jashtë si shumë mjekë e infermierë të tjerë. “Kam ëndërr të punoj në vendin tim, ndryshe nga shumë miq të mi të mirë, që punojnë në Itali” tha ai.

Nga pasioni për këtë profesion, 1 vit ka punuar si vullnetar në shërbimin e kirurgjisë vaskulare, para se të fitonte specializimin. “Para se të konkurroja për specializim, kam bërë edhe një vit si vullnetar, kam qëndruar në shërbimin e kirurgjisë vaskulare, ku jam ndjerë shumë mirë, dhe më ka ndihmuar shumë.”

Si një nga specializantët më të mirë të kirurgjisë, Frenki u përzgjodh për të marrë eksperiencë 6 mujore në një prej spitaleve të Italisë. E kujton si një periudhat më të rëndësishme në jetë, por njëkohësisht, edhe më e vështira. Ishte koha kur në Itali kishte mbërritur covid. Thotë se frika dhe pasiguria ishin të mëdha.

“Eksperienca ka qen nga më të bukurat. Unë personalisht momentin më të vështirë e kam pasur në datën 27 shkurt, ku u konfirmuan në Lombardi rastet me covid. Profesoresha Valeria, e cila ishte edhe pritësja jonë atje, është nga më të mirat që mund të bjerë rasti të takosh” tha ai.

Largimi i bluzave të bardha është një nga problemet më të mëdha të sistemit tonë shëndetësor. Vetëm në dy vitet e fundit kanë ikur rreth 600 mjekë e infermierë, kryesisht në Itali e Gjermani./ db/Abcnews.al