Jeta e ndarë e Donald dhe Melania Trump

schedule22:55 - 7 Maj, 2018

schedule 22:55 - 7 Maj, 2018

Sipas Uashington Post, zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump ka zgjedhur të ndjekë një axhendë më vete, duke vendosur “de fakto” një mur ndarës me Donald Trump. Por një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë tha se bashkëshortja e presidentit do t’i përkushtohet më shumë djalit të tyre.

Donald dhe Melania Trump, pavarësisht se janë çifti presidencial amerikan, ndjekin se cili një orar dhe një axhendë të veçantë. Ata zgjohen në orare të ndryshme. Presidenti ngrihet rreth orës 5 e 30 të mëngjesit, sheh lajmet në televizionet kabllore dhe poston ndonjë mesazh në Twitter.

Ndërsa zonja e parë zgjohet në dhomën e saj pak më vonë, thonë miq të çiftit Trump për “Washington Post”. Ajo i kushton vëmendje djalit 12-vjeçar teksa bëhet gati për të shkuar në shkollë dhe kujdeset që fletorja me detyrat e shtëpisë të jenë në çantën e tij të shpinës.

Në një kohë kur ka shumë zhurmë për marrëdhënien e përfolur të Trump me aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, Melania duket se ka zgjedhur të ndjekë një rutinë të qetë, shpesh herë larg bashkëshortit president dhe me pranë djalit të tyre, duke krijuar një hapësirë për veten në Shtëpinë e Bardhë.

Zëdhënësja e saj, Stephanie Grisham ka deklaruar se gruaja e kreut të shtetit përgjatë pjesës së mbetur të presidencës Trump do të përkushtohet tek çështjet që shqetësojnë sot fëmijët. Zonja e parë nuk është prononcuar ende në lidhje me aferat jashtëmartesore të bashkëshortit, por së fundmi ajo ka filluar të forcojë ndjeshëm profilin e saj, në mënyrë të pavarur prej tij.

Në javët e fundit, Melania ka marrë pjesë në evente të një profili shumë më të lartë se ato që ndiqte deri vitin e kaluar, përfshirë këtu ceremoninë mortore të ish-zonjës së parë, Barbara Bush, ku u shfaq e vetme. Martesat politike zakonisht janë më të komplikuara nga sa duken, por tashmë duket qartë se çifti presidencial bën fare pak përpjekje për t’u dukur i unifikuar.

Edhe pse të dy janë të vetëdijshëm për pushtetin e pamjes së jashtme, mes tyre janë konstatuar jo pak momente të sikletshme, me Melanian që disa herë ka refuzuar t’i japë atij dorën dhe në raste të tjera ka tentuar t’i shpëtojë kapjes së tij./abcnews.al