Itali, Salvini: Emigrantët po helmojnë shoqërinë italiane

schedule20:52 - 15 Qershor, 2018

schedule 20:52 - 15 Qershor, 2018

Zëvendës kryeministri i Italisë, Matteo Salvini, ndonëse i njohur për retorikën kundër emigrantëve, ka tejkaluar vijat e kuqe me deklaratën e tij të fundit, ku i cilëson ata helm për shoqërinë italiane.

Lufta kundër emigracionit ilegal ishte parulla e fushatës së tij elektorale. Deklaratat e tij radikale e kthyen atë në idhullin e italianëve të pakënaqur, por me deklaratën e fundit, zëvendës kryeministri i Italisë Matteo Salvini duket se i ka kaluar vijat e kuqe. Kryetari i Ligës së Veriut ka thënë se emigrantët po helmojnë shoqërinë italiane dhe për të mbrojtur vendin e tij nga ata është gati të bëjë gjithçka. “Parimi “italianët të parët” vlen edhe për mbrojtjen e kufijve, të punës dhe të shëndetit të tyre. Jam gati t’i ndal varkat që mbërrijnë në portet tona me ushqim të helmuar që helmon fëmijët tanë”, ka thënë Salvini. Ai ka shtuar se, përveç se sjellin sëmundje, emigrantët u marin italianëve edhe vendet e punës, kryesisht ato në fushën e agrikulturës. Ndaj deklaratave ka reaguar ish-kryeministri Matteo Renzi, i cili ka thënë se Salvini gënjen kur thotë se po bllokon sbarkimet e emigrantëve në brigjet e vendit. “Nuk ka bllokuar asgjë, thjesht mori peng një anije me 630 persona në bord dhe bëri me ta një betejë politike”, ka thënë Renzi. Ish-kryeministri ka kritikuar edhe fjalorin e përdorur nga Salvini. “Shumë italianë e kanë vlerësuar Salvinin për këtë, por unë jo. Më vjen turp prej tij”, ka thënë Renzi. /abcnews.al