Itali, betohet qeveria Conte

schedule17:22 - 1 Qershor, 2018

schedule 17:22 - 1 Qershor, 2018

Qeveria e re e Italisë e udhëhequr nga profesori Giuseppe Conte është betuar përpara presidentit Mattarella. I përbërë nga 18 ministra, ekzekutivi i ri është gati për të filluar nga puna. Europa ka mirëpritur zhvillimet e fundit dhe është shprehur e gatshme të punojë me kabinetin e ri.

Giuseppe Conte është betuar të premten tek presidenti Mattarella si kryeministri i ri i Italisë. Menjëherë pas tij, në selinë e presidencës është mbajtur ceremonia për 18 ministrat, që kanë bërë gjithashtu betimin përpara kreut të shtetit. Në përfundim të këtij eventi, qeveria Conte ka kompetenca të gjithëpushtetshme për të vepruar. Koalicioni qeverisës mes Ligës së Veriut dhe Lëvizjes 5 Yjet parashikon gjithashtu krerët e dy partive në postet kyçe. Konkretisht Salvini do të mbajë atë të ministrit të Brendshëm, ndërsa Di Maio atë të Punës dhe Zhvillimit. Gjithashtu, të dy ata do të jenë zëvendësuesit e zotit Conte.

I due vice premier Luigi Di Maio (ministro del Lavoro) e Matteo Salvini (ministro dell’Interno – D) durante il giuramento del Governo al Quirinale, Roma, 1 giugno 2018. ANSA/ALESSANDRO DI MEO

Tani, profesorit të Juridikut do t’i duhet të fitojë votëbesimin javën e ardhshme në Parlament dhe kjo nuk pritet të jetë problem duke qenë se 5 Yjet dhe Liga kanë shumicën në Dhomën e Ulët dhe Senat. Ndërkohë, tregjet financiare kanë reaguar mirë ndaj formimit të qeverisë, me treguesit që kanë pësuar rritje. Besimi tek kabineti Conte është shprehur edhe në nivel europian. Kancelarja Angela Merkel ka deklaruar se është e hapur për bashkëpunim, ndërsa Brukseli ka shprehur besimin tek vullneti pro-europian i Italisë. Nga ana e tij, Conte ka thënë se ndihet i emocionuar për marrjen e detyrës, por edhe i paduruar për të nisur punën me grupin e tij, që në përbërje ka edhe 5 gra. /abcnews.al