Itali, avancojnë negociatat Liga – 5 Yjet

schedule10:48 - 13 Maj, 2018

schedule 10:48 - 13 Maj, 2018

Liga e Veriut dhe Lëvizja 5 Yjet në Itali po lënë pas ndasitë politike dhe në “sintoni të plotë” po shkojnë drejt krijimit të koalicionit qeverisës. Ndërkohë, emri i kryeministrit të ardhshëm pritet të publikohet të dielën.

Në Itali vazhdojnë negociatat mes liderëve të Ligës së Veriut dhe Lëvizjes 5 Yjet, të cilët duket se po i lënë pas ndasitë.

“Negociatat janë në zhvillim dhe mund të them se po shkojnë shumë mirë”, ka thënë Luigi di Maio për mediat.

Di Maio ka hedhur poshtë zërat që rehabilitimi politik i ish-kryeministrit Berlusconi të ketë ndikuar në ecurinë e procesit. Në të njëjtat linja, Salvini ka nënvizuar se në thelb është arritur një marrëveshje.

Sipas raportimeve të mediave italiane, palët kanë rënë dakord mbi 10 pikat e para të programit qeverisës, mes të cilave spikasin taksa e sheshtë, reduktimi i shpenzimeve politike, ndihma për taksapaguesit në nevojë, lufta kundër korrupsionit, frenimi i emigracionit klandestin dhe e drejta e vetëmbrojtjes.

Por ajo që ende nuk dihet është se cili do të ulet në kolltukun kryeministror. Eksponentë të Lëvizjes 5 Yjet kanë deklaruar se kreu i qeverisë do të vijë nga një palë e tretë dhe jo nga dy partitë. Emri i tij do të publikohet të dielën dhe të hënën personi i zgjedhur do të marrë detyrën.

Por ka edhe diçka tjetër, kryeministrit do t’i dorëzohet programi i Ligës dhe 5 Yjeve dhe ai do t’i përmbahet vetëm atij. Ndërkohë, vetë Salvini dhe Di Maio do të mbajnë përkatësisht postet e ministrit të Brendshëm dhe atij të Jashtëm./abcnews.al