Ish-deputeti Shkëlqim Selami në gjyq për “falsifikim dokumentash”

schedule11:46 - 21 Mars, 2018

schedule 11:46 - 21 Mars, 2018

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar ner gjykate dosjen në ngarkim të ish-deputetit të LSI, Shkëlqim Selami. Ai akuzohet për falsifikim dokumentesh, pasi nuk ka treguar të vërtetën në formularin e vetëdeklarimit, të plotësuar sipas ligjit të dekriminalizimit. Bazuar  në përgjigjen e letërporosisë dërguar nga autoritetet italiane, Prokuroria vëren se Shkëlqim Selami është arrestuar në Itali në vitin 2006.

Ky ndalim është bërë mbi bazën e masës së sigurisë “arrest me burg”, lëshuar nga Gjykata e Brindizit në vitin 1994, për veprën penale  “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim emigracionin klandestin”. Në datë 06 shtator 2006 masa e sigurisë është hequr dhe në 07 shkurt 2007 Gjykata e Brindizit ka dhënë vendimin për shuarjen e veprës penale për arsye parashkrimi. Por sipas prokurorisë, ish-deputeti ka pasur detyrim ligjor të deklarojë këtë masë shtrënguese të vendosur ndaj tij për një vepër penale që përfshihet në ato të përcaktuara nga ligji i dekriminalizimit. Për shkak të shkeljes së ligjit të dekriminalizmit, Shkëlqim Selami humbi edhe mandatin e parlamentarit në legjislaturën e kaluar. Në dhjetor 2016, KQZ pranoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për ndërprerjen e mandatit të deputetit Shkëlqim Selami. /abcnews.al