I maskuar, me qesen me lekë duke ikur me vrap me kokën pas, kamerat kapin grabitësin në Tiranë

schedule16:35 - 4 Maj, 2021

schedule 16:35 - 4 Maj, 2021

ABC ka siguruar pamjet e momentit kur njëri nga autorët e grabitjes mëngjesin e sotëm në Tiranë largohet me vrap me qesen me lekë në dorë. Autori ishte i maskuar, ndërsa është fiksuar nga kamerat e bizneseve duke u arratisur me shpejtësi në rrugicat e lagjeve.

 

Sipas policisë grabitja ndodhi rreth orës 09:05, në rrugën e “Kavajës” në kryqëzimin me rrugën “Mihal Duri”, ku 2 persona ende të paidentifikuar goditën me sende të forta dhe më pas i morën një shumë parash Qani Zilit, 55 vjeç, i cili po transportonte me motor vlera monetare të një pike valute.

Autorët kishin informacion për lëvizjet 55-vjeçarit duke e sulmuar dhe grabitur. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave. Grabitësit në largim e sipër braktisën motorin me të cilin po lëviznin dhe u larguan me këmbë nëpër rrugica duke humbur gjurmët.

Pamjet filmike dhe provat e mundshme të lëna në motorin që braktisën mund të çojnë grupin hetimor në gjurmët e grabitësve./ Abcnews.al