Humbi jetën nga koronavirusi, përcillet mes lotëve dhe duartrokitjeve arkitekti i njohur në Durrës

schedule17:43 - 28 Prill, 2020

schedule 17:43 - 28 Prill, 2020

Mes lotëve dhe duartrokitjeve është përcjellë për në banesën e fundit arkitekti i njohur Hajdar Kovaçi nga qyteti i Durrësit. Arkitekti 73-vjeçar, i cili ishte i infektuar me koronavirusin, e humbi betejën me Covid-19 të hënën mbrëma.

Kovaçi qëndroi prej thuajse 3 javësh i intubuar në spitalin “Shefqet Ndroqi” por për shkak edhe të problemeve të tjera shoqëruese nuk mundi të mbijetonte.

Ai ishte një personalitet i njohur në Durrës dhe për këtë arsye në ceremoninë përcjellëse që u mbajt sot në Bashkinë e Durrësit numri i të pranishme ishte jo i vogël edhe pse mbledhjet e shumë personave nuk rekomandohen në këto ditë.

Në pamjet e siguruara nga Abc News mund të shihen njerëzit që duartrokasin ndërsa makina me arkivolin e Hajdar Kovaçit niset për në banesën e fundit.

Në varrimin e arkitektit, që u mbajt tek Bashkia e qytetit të Durrësit sot në mesditë, munguan gruaja e tij e cila është e shtruar në spital, gjithashtu e infektuar me Covid-19 dhe djali i tij, i cili ndodhet në vetizolim.

Për vite me radhë, Kovaçi ka qenë në detyra të ndryshme si zv/president i dhomës së tregtisë, industrisë së qytetit dhe për dy mandate, anëtar i Këshillit Bashkiak nga radhët e PD, pjesëtar i Këshillit Rregullues të Territorit. /abcnews.al/