Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Homazhe për Servet Pëllumbin/ Ceremoni shtetërore për përcjelljen e ish kryetarit të Kuvendit

schedule09:08 - 6 Maj, 2026

schedule 09:08 - 6 Maj, 2026

I jepet sot lamtumira me ceremoni homazhesh shtetërore ish kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbit, babait të së majtës moderne shqiptare.

Pëllumbi shoqëroi partinë nga komunizmi në tranzicionin si parti e qendrës së majtë evropiane. Ai udhëhoqi socialistët në vitet e vështira të opozitës, me kryetarin Nano në burg, dhe Sali Berishën që tentoi disa herë diversion dhe përçarje të socialistëve.



Mbeti një i majtë i vendosur, por edhe me sjellje burri shteti, duke u tërhequr nga politika dhe duke i lënë vend brezit të ri, përfaqësuar nga Edi Rama, në vitin 2005.

Stafetën në politikë, Servet Pëllumbi ia la djalit të tij, Arben Pëllumbi, i cili u zgjodh dy herë deputet me PS.

Të shumtë janë personazhet politikë dhe publike të cilët do të marrin pjesë në homazhe. Deputetja Jozefina Topalli ka qenë ndër të parat që ka shkuar për të kryer homazhet në nderim të ish kryeparlamentarit.

PROFIL/ Servet Pëllumbi

Servet Pëllumbi lindi në Korçë më 14 dhjetor 1936. Një vit ky pa histori për shqiptarët, por në këtë vit rastësisht lindën shqiptarët të cilët me mendim dhe shkrim do të linin histori ndër shqiptarët, Ismail Kadare, Rexhep Qosja apo Adem Demaçi.

Në moshën 8 vjeçare, Servet Pëllumbi mori pjesë në luftën nacional çlirimtare dhe u plagos, ndërsa vëllai i tij ndonëse çliroi atdheun, në regjimin komunist u shpall armik i popullit dhe u dënua me burgim në Spaç.

Megjithatë, Servet Pëllumbi kreu studimet e larta në Universitetin e Shën Peterburgut në Rusi ku u titullua doktor i shkencave në Letërsi.

Me kthimin në Shqipëri, nga viti 1960 – 1963, Pëllumbi ka qenë pedagog në Institutin Pedagogjik në Korçë dhe më pas e ka ushtruar këtë profesion deri më 1977. Nga ky vit, Servet Pëllumbi u zgjodh anëtar i Komitetit Drejtues së Partisë së Punës ndërsa vijoi për 3 vite si pedagog në Universitetin e Tiranës.

Ndryshimi i sistemit, pozicionoi Servet Pëllumbin në Partinë Socialiste, jo thjesht rishtazi si nënkryetar i PS, por si ideolog dhe reformator i kësaj partie prej themelimit, bashkë me Dritëro Agollin dhe intelektualët të cilët krijuan PS.

Në vitet më të vështira të kësaj partie, Servet Pëllumbi ka udhëhequr fushatën e socialistëve, për të kundërshtuar referendumin për Kushtetutën dhe më pas fushatën për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.

Ai udhëhoqi protestën kundër vjedhjes së votës në 28 maj 1996, dhe foto e tij me fytyrën e përgjakur nga dhuna e shikasve, bëri xhiron e botës.

Në vitin 2002 pasoi Namik Doklen si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.

Më pas, Pëllumbi u tërhoq nga politika, duke vijuar me idetë e tij të kontribuojë në jetën publike, edhe në politikë, jo rrallë herë edhe kritik ndaj lidershipit të PS, si në kohën kur e drejtonte Fatos Nano, edhe me pasuesin e tij, Edi Ramën.

Stafetën në politikë, Servet Pëllumbi ia la djalit të tij, Arben Pëllumbi i cili u zgjodh dy herë deputet me PS.

Vijoi të publikojë libra, filozofikë, sociologjikë apo dhe politikë, më i fundit, vepra që e quajti ditari i tij politik, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, për vitet 1991-1996.

Gjatë jetës së tij ai u nderua me titujt më të lartë, si ai nga ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Shqipëria humbi një tjetër mendimtar, politikan dhe dijetar, por fotoja e Servet Pëllumbit do të vijojë të qëndrojë në korridoret e heshtura të parlamentit të Shqipërisë, si një figurë që e pa politikën për t’i shërbyer vendit kur duhet, dhe kupton kur është koha të largohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!