Sondazh

Protesta e Berishës, si u soll policia?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Hapja e negociatave, Bushati raporton në komisionin parlamentar

schedule16:04 - 8 Maj, 2018

schedule 16:04 - 8 Maj, 2018

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, raportoi përpara komisionit parlamentar lidhur me progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë. Rruga për Shqipërinë nuk është aspak e lehtë në këtë proces tha ministri Bushati, i cili nuk i kurseu kritikat për mungesën e deputetëve demokratë në komision.

Nuk është aspak proces i lehtë hapja e bisedimeve me Bashkimin Europian. Këtë e pranon dhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, por ka një zgjidhje sipas tij, që vendi ynë të jetë edhe me këmbë në tokë edhe optimist njëherazi.



Ditmir Bushati: “Nuk diskutohet që përpara nesh është një e përpjetë sidomos përsa i përket gamës së të drejtave dhe detyrimeve që  shtrohen para nesh, por mbroj pikëpamjen që jemi në kushtet ku do të nisim një kapitull të ri, përsa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Vendeve skeptike si Gjermania Franca dhe Holanda, qeveria shqiptare i ka dhënë mundësinë të vijnë dhe t’i verifikojnë vetë atë ç’ka shkruhet në raportin e Komisionit Europian.

Ditmir Bushati: “Personalisht, në emër të qeverisë shqiptare i kam kërkuar secilit prej vendeve anëtare që nuk është e kënaqur me vlerësimet e Komsionit Europian për Shqipërinë, të sjellë misionet e tyre të ekspertizës në Shqipëri për të bërë verifikimet përkatëse. Kur flasim për vende anëtare nuk e kam fjalën për ndonjë që vjen për dreka si fanti spathi dhe vë kasetën dhe ikën”.

Anëtarët e komisionit parlamentar për politikën e jashtme i kërkuan ministrit Bushati përfitimet që do të ketë Shqipëria nëse Bashkimi Europian voton njëzëri hapjen e negociatave.

Ditmir Bushati: “Askush prej nesh nuk ka iluzionin që të nesërmen që do të ulemi në tryezën e bisedimeve do të  vijnë thasë me euro apo do të vijnë një bankë nga mbrapa, ku secili prej nesh do të vendosë PIN-in dhe gjërat do të na zgjidhen si me magji. Ky është një proces ku ne duhet ta konsiderojmë si një rrugë transformuese mordenizuese për të gjitha institucionet e tjera”.

Vlerësime për praninë në komision morën dy ish-ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha dhe Edmond Panariti. Ndërsa deputetët demokratë munguan në këtë seancë dëgjimore me ministrin Bushati.

Ditmir Bushati: “Dua të shpreh keqardhjen që nuk shoh asnjë përfaqësues të PD-s këtu se nuk besoj se nuk ka gjë më të rëndësishme sesa të këmbejmë pikëpamje për këtë çështje. Ftesa jonë mbetet e hapur për bashkëpunim”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!