Grumbullimet e qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë shkarkon Komitetin e Vaksinimit

schedule21:29 - 18 Maj, 2021

schedule 21:29 - 18 Maj, 2021

Komiteti për Vaksinimin në Kosovë është shkarkuar më 14 maj (e premte), ditën kur u shkaktua grumbullim nga numri i madh i qytetarëve në hyrje të Qendrës së Vaksimit “1 Tetori” në Prishtinë.

Ndonëse shkarkimi thuhet të ketë ndodhur katër ditë më parë, një gjë e tillë nuk është bërë publike. Burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur për Telegrafin se po atë ditë kur ishte raportuar për këtë situatë, Ministria e Shëndetësisë kishte ndërmarrë veprime duke larguar nga detyra personat përgjegjës për organizim.

Për shkak të festës së Fitër Bajramit të enjten është ndërprerë dhënia e vaksinës antiCOVID-19 për grup moshën mbi 65 vjeç në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë.

Mirëpo, të premten në orët e hershme të mëngjesit kjo ka shkaktuar grumbullim të madh të njerëzve që donin të vaksinoheshin. Kjo ngjalli edhe pakënaqësi të mëdha në mesin e të moshuarve, të cilët patën edhe kritika të ashpra për organizimin.

Ministria e Shëndetësisë kishte reaguar të premten, duke kërkuar nga qytetarët që kenë parasysh se në Prishtinë në sallën “1 Tetori” vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës në bazë të rekomandimeve konform Planit Shtetëror të vaksinimit.

Pas ndërhyrjes nga ana e Policisë së Kosovës, vaksinimi të premten e 14 majit vazhdoi pa probleme, ndërkaq një ditë më vonë, të shtunën, procesi i vaksinimit ishte i organizuar dhe pa pritje të gjata. Telegrafi ka dërguar edhe pyetje në adresë të MSH-së, por ata ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht se kanë marrë masa ndaj përgjegjësve për tollovinë e së premtes. /Telegrafi/