Ethet e Nilit Perëndimor po përhapen me ritme shqetësuese në Greqi, ku numri i rasteve të transmetuara brenda vendit ka arritur në 110, pas 45 infektimeve të reja vetëm gjatë javës së fundit, ndërsa 9 persona kanë humbur jetën.
Rastet e infektimin me Ethet e Nilit Perendimor gati jane dyfishuar vetem brenda nje jave ne vendin fqinje.
Sipas Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë, 81 prej rasteve kanë prekur sistemin nervor qendror, duke shkaktuar komplikacione te renda shendetesore perfshire edhe paralizen akute.
Situata është veçanërisht shqetësuese në Atikë, ku virusi po qarkullon me intensitet të lartë dhe rastet janë evidentuar në 39 bashki, në 14 njësi rajonale dhe në katër rajone të vendit.
Nga 9 viktimat e regjistruara deri më 12 gusht, të gjithë ishin mbi 65 vjeç, me moshë mesatare 82 vjeç, duke konfirmuar rrezikun më të madh për të moshuarit.
Aktualisht, 35 pacientë ndodhen ende në spitale, prej të cilëve 16 janë në terapi intensive, ndërsa 61 pacientë janë larguar nga spitali pas trajtimit.
Megjithatë, shifrat zyrtare nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht përmasat reale të epidemisë, pasi për çdo rast me prekje të sistemit nervor mund të ketë rreth 140 persona të infektuar me simptoma të lehta ose pa simptoma.
Një nga zonat më të prekura është Atika Lindore, ku janë regjistruar përqendrime të larta të rasteve të rënda.
Virusi po zbulohet gjithashtu te kuajt në disa zona të Greqisë, një tregues se qarkullimi i tij është më i gjerë dhe nuk kufizohet vetëm te rastet njerëzore.
Autoritetet greke kanë intensifikuar monitorimin epidemiologjik, kontrollet ndaj mushkonjave dhe vendosjen e kurtheve për zbulimin e hershëm të virusit, ndërsa zonat e konsideruara me rrezik të lartë po monitorohen nga afër.
Autoritetet Shendetesore Greke kane paralajmëruar se raste të tjera priten në javët në vijim, pasi virusi tashmë konsiderohet i vendosur në Greqi dhe autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin masa individuale për mbrojtjen nga pickimet e mushkonjave.


