Grenell-Veselit: SHBA kërkon heqjen e taksës

schedule16:21 - 7 Shkurt, 2020

schedule 16:21 - 7 Shkurt, 2020

Përfaqësuesi Special Presidencial i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, ka reaguar pas qëndrimit të kreut të opozitës, Kadri Veseli, i cili ka thënë se Albin Kurti nuk duhet të ngutet për ta hequr taksën ndaj Serbisë. Grenell i është drejtuar Veselit në një postim në Twitter duke shkruar se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë heqjen e taksës dhe se Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se do ta heqë atë.

“Kadri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kërkojnë Kosovës që ta heqin taksën 100 %. Po e dëmton Kosovën dhe po pengon bizneset të krijojnë vende të reja të punës. Albini ka të drejtë këtu”, ka shkruar Grenell.

Kryetari I PDK-së, I kishte bërë thirrje Kurtit që të mos dorëzohej para Serbisë, duke aluduar në mos heqjen e taksës.

Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, kishte shkruar Veseli.