Gjyqtarja Margjeka e refuzoi, Valbona Sako merr mandatin e kryebashkiakes

schedule13:24 - 19 Korrik, 2019

schedule 13:24 - 19 Korrik, 2019

Ka ndryshuar gjendja në bashkinë Durrës, ku sot, një tjetër gjyqtar ka vendosur ta njohë Valbona Sakon si kryebashkiake. Gjyqtari Shpëtim Reka ka pranuar një kërkesë që i është dorëzuar shkresërisht nga vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Partia Socialiste përmbysi vendimin e gjyqtares së Durrësit Mimoza Margjeka, e cila nuk pranoi të njihte Valbona Sakon si kryebashkiake të Durrësit.

Siç ka mësuar ABC News, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i është drejtuar të enjten me një shkresë Gjykatës së Durrësit, duke i kërkuar të njohë fituesen e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në bashkinë Durrës, Valbona Sako.

Çështja i ka rënë për shqyrtim gjyqtarit Shpëtim Reka, i cili ndryshe nga kolegia e tij, nuk i ka vlerësuar zgjedhjet të paligjshme, por një ditë pasi ka pasur në tryezë shkresën me firmën e kryeministrit, ka marrë vendimin.

Të premten paradite ai njohu si kryebashkiake të Durrësit, Valbona Sako.

Për këtë bashki janë në fuqi dy vendime, ai i ditës së mërkurë që, kishte si kërkuese vetë Valbona Sakon, dhe që nuk e pranoi si fituese, dhe ky i së premtes, më kërkues Edi Ramën, që e konfirmoi fitoren e Sakos.

Vetë kandidatja tha se do ta apelojë vendimin e së mërkurës, duke shpresuar se në këtë mënyrë do të shuajë betejën juridike.

Burimet i thanë ABC NEWS se të njëjtën taktikë, PS do te përdorë edhe për bashkinë Vorë. Edi Rama do të depozitojë një kërkesë pranë Gjykatës së Tiranës për ketë çështje, duke i hapur mundësi rishqyrtimit.

Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës vlerësoi se nuk ishte ajo kompetente për të shpallur fitues në Vorë, Agim Kajmakun./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!