Gjiknuri: Të detyruar të pranojmë ndonjë kusht të opozitës, ose ngelemi pa Kod Zgjedhor

schedule14:11 - 4 Korrik, 2020

schedule 14:11 - 4 Korrik, 2020

Rikthimi i fuqishëm i COVID 19, nuk i pengon socialistët që të bëjnë mbledhje partie, në ambiente të mbyllura.

Maskat nuk janë për të gjithë.

Pasi foli për barazinë gjinore, Gjiknuri tregoi se në parlament, socialistët po shohin mundësinë e pranimit të ndonjë kushti nga opozita e re, me qëllim, sigurimin e votave.

“Ne nuk i zotërojmë plotësisht 84 vota dh4e kjo na bën që të jemi të detyruar të negociojmë të ushtrojmë trysninë e duhur por njëkohësisht të akomodojmë nën një interes pa cenuar thelbin e marrëveshjes me partinë Demokratike. Partia Socialiste është parti serioze dhe nuk mund ti shmanget detyrimeve”, u shpreh Gjiknuri.

Nëse pranohet hapja e listave, atëherë, thotë Gjiknuri, kjo duhet shoqëruar me heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Deputeti socialist përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

“Nuk përjashtojmë mundësinë e listave të hapura nëse nuk gjejmë dot votat për të kaluar kodin, natyrshëm ne do bëjmë kompromise me ta por është shpejt për të folur. Vetë Partia Demokratike ka hequr dorë nga zgjedhjet e parakohshme që dikur i kërkonte me aq forcë sepse kërkoi kohë për implementimin e teknologjisë për identifikimin biometrik dhe nëse PD kërkon zgjedhje të parakohshme, natyrshëm ajo teknologji nuk do bëhet fare”, tha ai.

Thotë se ka folur me kryeministrin për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare drejtimit të Kadastrës në Vlorë.

“Nga bisedat e fundit që kam bërë edhe me kryeministrin, atje shumë shpejt do të vendosen drejtues të rinj me qëllim që të riorganizohet puna dhe ka shumë ankesa nga qytetarët. Drejtuesi do të jetë nga Vlora. E di që në Vlorë ka presione për pronat por shteti nuk mund të ulë kokën përpara presioneve të paligjshme”, deklaroi Gjiknuri.

Brenda një viti, nga drejtimi kadastrës së Vlorës janë dorëhequr pa dhënë shpjegime  6 drejtorë njëri pas tjetrit./abcnews.al