Gjata: Rama po e vendos fatin e Shqipërisë përballë mbylljes së negociatave

schedule15:46 - 18 Korrik, 2020

schedule 15:46 - 18 Korrik, 2020

Sekretari për Çështje Ligjore në PD Çlirim Gjata në studion e “ABC News” u shpreh se kryeministri Rama nuk i mbështet listat e hapura.

Sipas tij synimi i vetëm i kryeministrit është bllokimi i koalicioneve pasi sipas tij është i humbur.

Po ashtu ai u shpreh se kryeministri Rama është gati të bllokojë negociatat me Shqipërinë vetëm që të ndryshojë Kushtetutën që të manipulojë dhe të fitojë në mënyrë të paligjshme zgjedhjet.

“Si mund të quhet demokraci kur synon të heqësh një nga kolonat e demokracisë, koalicionin politik. Të na kthesh si në kohën e Enverit. Përveç rikthimit të krizës ka hapur përplasjen me faktorin ndërkombëtar perëndimor.

Është gati të shkojë në ekstremin e marrëzisë, të bllokojë negociatat me Shqipërinë vetëm që të ndryshojë Kushtetutën, të manipulojë dhe të fitojë në mënyrë të paligjshme zgjedhjet. Të ndalojë koalicionet  që të ketë mundësi të qëndrojë në pushtet. Për pushtetin e tij, fatin e Shqipërisë po e vendos përballë mbylljes së negociatave.

Ne si opozitë nuk do t’i bëjmë gjyqin faktorit ndërkombëtar. Gradualisht faktori ndërkombëtar e kuptoi se sa më shumë lëshime i bën Edi Ramës aq më shumë shkon drejt Putin drejt këtyre shtete me demokraci sipërfaqësore.

Opozita tani ka përgjegjësi. Kur ra tërmeti ndërpremë çdo lloj proteste. Në situatën e pandemisë Basha sërish është njohur në çdo moment me vështirësitë e qytetarëve. Nga përgjegjësia që kemi për këtë vend u rikthyem sërish në Këshillin Politik nga përgjegjësia që kemi për këtë vend”, tha Gjata.