Gërvalla në ABC: Ka ardhur koha të mos kemi kaq shpesh zgjedhje në Kosovë, njohja me Ramën dhe lidhja me Shqipërinë

schedule23:01 - 18 Tetor, 2021

schedule 23:01 - 18 Tetor, 2021

Zv/kryeministrja e Kosovës Donika Gërvalla deklaroi në “Log.” në ABC se ka ardhur koha që në Kosovë të mos ketë më kaq shpesh zgjedhje të reja. Ajo deklaroi se në katër vitet e ardhshme pritet një fazë e re qeverisjeje dhe e marrjes së vendimeve. “Gjërat janë të ndara në mënyrë të drejtë. Diku jemi ne një hap përpara, diku Shqipëria, diku Maqedonia e Veriut. Të gjithë bashkë bëjmë një progres të përbashkët. Ka ardhur koha të mos kemi kaq shpesh zgjedhje të reja. Në katër vitet e ardhshme nuk do ketë zgjedhje të reja. Do kemi një fazë të qetë të qeverisjes dhe marrjes së vendimeve”, u shpreh Gërvalla.

Ajo tregoi njohjen me kryeministrin Edi Rama në kohën kur ajo ishte studente dhe Rama ishte pedagog në Universitetin e Arteve. Gërvalla tha se tani mes dy vendeve duket se ka nisur një kapitull i ri, duke përmendur edhe vizitën e kryeministrit Rama në Prishtinë pak javë më parë.

“Kam qenë pjesë e lëvizjes studentore. Ky vend për mua është shumë i pasur me emocione dhe është pjesë e imja ashtu sikur unë jam pjesë e kësaj shoqërie. Edi Ramën e kam njohur. Edi Rama ka qenë pedagog kur unë kam qenë studente. Unë mendoj se marrëdhëniet mes politikanëve në Kosovë dhe Shqipëri e tejkalojnë personalen. Në nëntor do takohen qeveritë e dy vendeve tona dhe do bisedojnë për marrëveshjet që do të lidhin në të ardhmen. Kjo është një gjë për t’u përshëndetur. Mendoj që kemi hapur një kapitull të ri edhe me ardhjen e kryeministrit shqiptar në Prishtinë”, deklaroi ajo.

Për  Gërvallën ka një anë pozitive me zgjedhjet në Kosovë, që sipas saj i japin mundësinë herë njërës palë edhe herë tjetrës që të marrin pushtetin. Ajo shprehu bindjen se në raundin e dytë për zgjedhjet lokale në Kosovë, Arben Vitia do të zgjidhet në krye të komunës së Prishtinës.

“Ne kemi ardhur në vitin 1982 në Shqipëri, kur unë isha në moshën 10-vjeçare. Unë me kalimin e moshës e kam parë realitetin shumë qartë. Shqiptarët në Kosovë kanë pasur adhurim për kreun e shtetit të Kosovës për shkak të dashurisë së shtetit amë. Dy alternativa kanë pasur për Titon apo për Enver Hoxhën. Më kanë pëlqyer më shumë këta të dytët. Unë në LDK kam qenë 27 vjet. Jam pjesë e gjeneratës që kanë jetuar jashtë Kosovës në ato vite dhe kanë bërë përpjekje për Kosovën. Kam qenë zëdhënëse e LDK në ato vite kur në Kosovë zhvillohej lufta.

Jam përpjekur të jap kontributin tim për të treguar atë që po ndodhte në Kosovë në atë kohë. Zgjedhjet nacionale dhe komunale janë të ndryshme nga profili i tyre. Më pozitive është fakti që kultura demokratike e zgjedhjeve në Kosovë i jep mundësinë njëherë njërës palë dhe tjetrës që të fitojë. Kemi dhe një raund të dytë të zgjedhjeve komunale më 14 nëntor. Unë jam e bindur që Prishtinën do e fitojë Vetëvendosja me Arben Vitinë”, theksoi Gërvalla. m.v/Abcnews.al