Arlinda Zekaj u vra dyfish. Nga heshtja e intitucioneve dhe deklarata e ministres së drejtësisë Donika gërvalla, nga salla e parlamentit të Kosovës.
“Arlinda i është drejtuar drejtësisë dhe nuk ka marrë mbrojtjen e kërkuar. Fatkeqësisht nuk i është drejtuar Qeverisë. Ndoshta po t’i ishte drejtuar Qeverisë do të kishte pasur angazhim”, tha ajo.
Ndërkohë, dy ditë pas vrasjes së 49 vjeçares Arlinda Zekaj, autori mbetet ende në arrati. Ajo u vra nga kunati i saj Albert Sylaj me sëpatë, disa minuta pasi ishte kthyer nga stacioni i policisë, brenda ambienteve të shtëpisë së saj në Vitomiricë, Pejë.
Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim, ndërsa Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e vendimeve të gjykatës”.
Prokuroria pretendon se pavarësisht urdhrit të gjykatës që të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike, të mos e pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë, i pandehuri ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Gjithashtu, dyshohet se ka marrë rrobat e viktimës dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë.
Nga kontrollet e ushtruara nga blutë e Kosovës në shtëpinë ku ndodhi krimi janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, gjatë kontrollit janë sekuestruar një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë, armë, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë.
Arlinda Zekaj u përcoll sot në banesën e fundit, ndërsa do të prehet në fshatin e saj të lindjes, Radac të Pejës./abcnews.al


