Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka folur për sfidat që sjell inteligjenca artificiale dhe ndikimin e saj në shoqëri.
Rama u ndal te fuqia e algoritmeve, duke theksuar se ato nuk njohin kufij dhe mund të ndikojnë përtej territoreve kombëtare.
“Algoritmet i kapërcejnë kufijtë pa pasur nevojë për pasaportë dhe pa frikën e ndonjë lloj qeverie”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, sfida e së ardhmes nuk është një përballje mes njerëzve dhe makinave, por mënyra se si njerëzit zgjedhin ta përdorin inteligjencën artificiale.
“Kjo nuk është një garë midis njerëzve dhe makinave, por midis atyre që e përdorin inteligjencën artificiale për të ndriçuar dhe atyre që e përdorin për të mbjellë terr”, u shpreh ai.
Rama bëri thirrje që brezi i sotëm të mbrojë lirinë dhe mendjen njerëzore në një realitet ku teknologjia po fiton gjithnjë e më shumë ndikim.
“Të dashur miq, çdo brezi i bëhet thirrje të mbrojë lirinë në një territor ku liria është kërcënim. Për tonin është mendja njerëzore”, deklaroi kryeministri.
Ai theksoi gjithashtu nevojën që qytetarët të mos përballen të vetëm me ndikimin e teknologjisë dhe algoritmeve.
“Le të sigurohemi që asnjë qytetar të mos lihet i vetëm përballë një fuqie tmerruese algoritmike”, tha Rama.

