Berisha shkoi këtë vit në SHBA, Rama shkon për së dyti brenda vitit. Doktori u ftua nga organizata e partive të djathta si lider i opozitës shqiptare, Rama ftohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si kryeministër i Shqipërisë.
Noka: Ku është doktori, po Rama a e kalon dot oqeanin?
Me apo pa dëshirën e Nokës, Edi Rama si kryeministër ka radhën për të marrë pjesë në emër të Shqipërisë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së 81-të të Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, nga data 21 deri më 28 shtator.
Me protokoll, këtë vit është radha e kryeministrit Rama të marrë pjesë dhe mbajë edhe fjalimin në emër të Shqipërisë.
Por pjesa më e dhimbshme për PD do jetë momenti kur Rama është i detyruar që në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të pritet nga i zoti i shtëpisë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump për foto zyrtare, edhe të marrë pjesë në darkën e ditës së fundit me gjithë liderët botërorë.
Ashtu siç ka bërë Bajram Begaj me Trump një vit më parë, apo Rama me Joe Biden dy vite më parë.
Dhe këtu, shkon rezultati, thellohet sërish në shifrat 2-0. Berisha vërtet shkoi në SHBA, por veç disa prej kongresmenëve lokalë të Teksasit dhe çelësit të një fshati të madh, Trumpin e pa nga tribuna.
Kurse, Rama, pas Bordit të Paqes në shkurt, do e takojë për së dyti Trumpin. Sërish përtej oqeanit, në SHBA. Një tjetër betejë e humbur e doktorit. Si në numra, ashtu edhe në përmbajtje. Lajmi i vetëm ngushëllues: humbjet përballë Ramës, nuk i ka për herë të parë. Sa i përket kostove, nuk ka përse mërzitet. Në fund fare, si biletat qeveritare të delegacionit të Ramës, ashtu edhe 6 milionët e heqjes së vizës së Berishës, paratë janë sërish të taksave tona.

