“Fushatë me vaksinën”! Anëtari i LSI-së te “Rregullatori”: Ndalni Ramën! Celibashi: E shënova

schedule22:10 - 31 Mars, 2021

schedule 22:10 - 31 Mars, 2021

Anëtari i Komisionit Rregullator i propozuar nga LSI, Muharrem Cakaj në mbledhjen e sotme të këtij organi ngriti shqetësimin se Partia Socialiste po e përdor vaksinimin për fushatë elektorale. Për akuzën që ngriti, Cakaj u shpreh se bazohet te spotet e socialistëve në rrjetet sociale që i miksojnë me procesin e vaksinimit. Ai i kërkoi Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi që të marrë masa.

Risjell në vëmendjen e Komisionit Rregullator por posaçërisht Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nenin 91 pika 1 të Kodit Zgjedhor, që parashikon ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore.

Neni 91 pika 1 parashikon që nuk mund të përdoren burime të organeve apo enteve publike në nivel vendor apo  qendror kur shteti zotëron kapitale apo pronësi, që do të thotë që avantazhi që ka shteti me burime shtetërore nuk mund ta vendosë në dispozicion të një kandidati apo partie politike.

 

Prej disa ditësh ka filluar një proces, i shumëpritur vaksinimi për Shqipërinë, mund të ishte edhe më shpejt, por kjo nuk duhet ti japë avantazhe apo disavantazhe asnjë subjekti politik. Kontrata është lidhur nga kryeministri, jo nga kryetari i PS-së apo i bashkisë së Tiranës, prandaj ftoj komisionerin që në mënyrë të menjëhershme të marrë masa të ndalojë propagandën, përdorimin e burimeve publike në mbështetje të një subjekti zgjedhor.

Cfarë merite ka kryetari i PS-së apo bashkisë Tiranë, që populli shqiptar paguan dhe po blen vaksina, për të përfituar dhe në spot, për të përfituar avantazhe elektorale. Dhe në spotet, qoftë edhe në Facebook, shikojmë veprimtari jo vetëm e ndaluar, por e paparë dhe dëgjuar në histori, që të miksosh spotin elektoral të një subjekti me vaksinën. Kjo është e tmerrshme, duhet të ndërpritet urgjentisht. Ftoj komisionerin të ndërmarrë një hetim të plotë të thelluar dhe të ndërpritet” kërkoi ai.

Ilirjan Celibashi tha se i mbajti shënim ankesat dhe do të procedojë sipas parashikimeve ligjore. “Mbajta shënim cfarë tha kolegu i nderuar dhe do ta vlerësojmë dhe do të procedojmë në lidhje me këtë kërkim” tha ai. PD dhe LSI kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama se po bën fushatë me vaksinat./ db/ Abcnews.al