Në Amerikë këta lloj ekipesh I quajnë dinasti.
Egnatia po shkon drejt titullit të tretë kampion radhazi në Superligën shqiptare, dhe statusin e favorites e mori pas fitores së dytë njërën pas tjetrës që arriti në minifazën mes 4 skuadrave të para.
Suksesi 2-1 ndaj Vllaznisë, që ishte tepër dramatik dhe u mbyll me dhunë, bëri që kampionët në fuqi të shkëputen në tri pikë nga rivalët kryesorë, dhe po ashtu të kenë bilanc më të mirë si me shkodranët ashtu edhe me Elbasanin.
Jo më kot fituan 4-0 në nisje të kësaj minifaze ndaj elbasanasve.
Nga ana tjetër, Dinamo ka dalë matematikisht nga gara për trofeun, pasi është 7 pikë prapa rrogozhinasve, kur I mbeten edhe dy ndeshje për t’i luajtur.
Duket se nuk ka ndryshuar ndonjë gjë te kampionët me largimin e trajnerit Edlir Tetova, dhe me uljen në stol të Nevil Dedes.
Ndoshta, ish-kapiteni I Tiranës, me përvojën e tij të gjatë dhe titujt e shumtë të fituar si futbollist, di sesi t’i luajë këto ndeshje vendimtare.
Golat në “Arenën Air Albania”, ku për fat të keq pati pak tifozë, u shënuan nga Sota në 38’ për Egnatian, pastaj nga Qato në barazimin e përkohshëm 1-1 në 77’ dhe nga Adjesa dy minuta para fundit.
Përballja ishte e fortë, por skuadra që ka fituar dy tituj radhazi në Superligë bëri më shumë dhe e meritoi.
Tani, pret përballjen Dinamo-Elbasani, ndërsa duhet të bëjë detyrën në sfidën e fundit ndaj bluve të kryeqytetit./abcnews.al


