Gjashtë vjet pas Brexit-it, marrëdhëniet tregtare të Gjermanisë me Britaninë e Madhe janë stabilizuar, sipas ministres së Ekonomisë, Katherina Reiche. Britania e Madhe është sërish ndër dhjetë partnerët kryesorë tregtarë, deklaroi ministrja gjermane në një konferencë ekonomike gjermane-britanike të mbajtur në Berlin.
Vëllimi i tregtisë midis dy vendeve arriti në rreth 118 miliardë euro në vitin 2025, vuri në dukje Reiche. Gjermania importoi mallra me vlerë rreth 33 miliardë euro nga Britania e Madhe dhe eksportoi mallra me vlerë 80 miliardë euro në Britaninë e Madhe . Qindra kompani operojnë në të dyja anët e kufirit. Këto gjenerojnë mirëqënie.
“Kjo tregon se lidhjet tona ekonomike janë të qëndrueshme; ato janë reale,” tha Reiche. “Dhe jam e bindur se ato mund të bëhen edhe më të ndërthurura.” Krizat e shumta të viteve të fundit kanë shkatërruar iluzionin se tregjet globale mund të funksionojnë ‘me autopilot’. Është shfaqur një realitet i ri; bllokada e gjerë e Ngushticës së Hormuzit, jetike për furnizimet me energji, është një shembull tjetër i kësaj.
Gjermania dhe Britania e Madhe kanë të njëjtat objektiva në shumë fusha, si tregtia apo zhvillimi i teknologjive. Bashkëpunimi do të zgjerohet gjithashtu në lëndët e para kritike dhe krijimin e zinxhirëve rezistues të furnizimit.
Duke qenë se BE nuk është më kuadër për bashkëpunim pas largimit të Britanisë së Madhe në shkurt 2020, duhet të gjendet një kuadër i ri, deklaroi Reiche. Ajo i bëri thirrje qeverisë britanike të bashkëpunojë në mënyrë konstruktive me Komisionin Evropian.
Ministri britanik i Ekonomisë, Peter Kyle kishte njoftuar më parë një marrëveshje me Gjermaninë për prokurimin së bashku të metaleve të rralla. Në konferencën gjermano-britanike, ai deklaroi se tani ofrohet “shansi i jetës” për të rindërtuar marrëdhëniet..
“E konsideroj detyrën time personale t’i afroj tregjet tona. “Gjermania është partneri më i rëndësishëm ekonomik i Britanisë së Madhe pas SHBA, tha Kyle.
Samiti ekonomik gjerman-britanik bazohet në Traktatin e Kensingtonit, të nënshkruar nga të dyja shtetet në korrik 2025, me të cilin u ra dakord për një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë në fushat e mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë, shëndetësisë dhe kulturës.
Në qershor 2016, britanikët votuan në favor të largimit nga BE-ja. Britania e Madhe u largua zyrtarisht nga BE më 31 janar 2020 dhe nga tregu i përbashkët evropian në fund të vitit 2020./DW/


