Durrësi dhe Kruja me rekord të prekurish, “infektohen” burgu i Zaharisë dhe spitali Beratit

schedule20:49 - 6 Gusht, 2020

schedule 20:49 - 6 Gusht, 2020

 Durrësi shënon pikun e humbjeve të jetëve nga COVID-19 në 24 orët e fundit.

3 persona 64-65-69 vjeç nuk ja dolën dot të mposhtin virusin.  Për shkak të gjendjes së rënduar ata prej ditësh ishin shtruar në spitalin Infektiv.

Këtë të enjte në Durrës  ishin 15 të prekur. Në mesin e të infektuarve janë tre familje.

Burime për Abc. News sqaruan se njëra nga familjet me katër anëtar, virusin e ka marrë burri i cili punonte në AKU.  5 të tjerët janë raste kontakti.

Virusi po përhapet me ritme të shpejta edhe në Korçë. 85 të infektuar dhe pesë humbje jetësh është bilanci në qarkun e Korçës.

Vetëm ditën e sotme  janë konfirmuar 3 raste të reja.  Burime për Abc. News thanë se bëhet fjalë për vatra të reja ndërkohë një tjetër rast është shënuar në Kolonjë, e paprekshme mbetet Pusteci.

Në këto 24 orë Kruja mban rekordin me 28 të infektuar të rinj.  Situata alarmante është edhe në burgun e Zaharisë. Në këtë institucion të vuajtjes së dënimit janë konfirmuar 11 raste të reja.

Burime për Abc.News thonë se ende nuk dihet gjendja shëndetësore e të dënuarve që rezultojnë të infektuar.

Më herët në këtë institucion të vuajtjes së dënimit janë raportuar edhe të dënuar të infektuar, të cilët dyshohet se e kishin marrë virusin nga sallat e gjyqit.

Shqetësuese janë dhe rastet në spitalin e Beratit. Të mërkurën 8 nga të prekurit ishin personel shëndetësor.

Ata të gjithë dyshohet se e kanë marrë virusin nga kolegu i tyre i konfirmuar më herët me COVID-19. /abcnews.al/