Duka nuk tërhiqet nga gara për mandatin e gjashtë, FSHF: Eksplozivi, prokuroria dhe zgjedhjet

schedule19:11 - 25 Janar, 2022

schedule 19:11 - 25 Janar, 2022

Është raportuar se prokuroria e ka nisur një hetim për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Armand Dukës. Presidenti i FSHF-së po akuzohet me të madhe nga Erion Veliaj, që është bërë kundërshtari numër 1 i tij. Por, kreut të Tiranës ia ktheu FSHF-ja duke ia publikuar një audio-incizim. Pastaj, fillimisht u sulmua FSHF-ja nga hakerët, e në orët e vona të natës së hënë u sulmua me eksploziv edhe shtëpia e presidentit Duka. Për të gjitha këto zhvillime dramatike që ndodhën dje, dhe për rrezikun e pezullimit të Shqipërisë nga UEFA e FIFA, Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë shpjegime të gjera për Gazetën Express.

Nga: Valon Konushevci & Moral Pozhegu

Armand Duka nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga posti i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), e as nga gara për një tjetër mandat për zgjedhjet e 2 marsit, përkundër kërcënimeve me jetë që ka marr përmes telefonit dhe sulmit me eksploziv që ndodhi mbrëmë në shtëpinë e tij, shkruan Gazeta Express.

E hëna ishte dramatike për futbollin dhe Shqipërinë. Pas akuzave të Erion Veliajt – kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që është aksionare në klubin futbollistik Tirana – Prokuroria e Tiranës i nisi hetimet ndaj presidentit të FSHF-së. Ndaj Dukës janë hapur dy pista të hetimit – për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës. Pastaj, FSHF e publikoi një audio-incizim, me të cilin e qiti keq në opinion Erion Veliajn.

Zhvillimet nuk u ndalën me kaq. Vetëm pak orë më vonë u hakua ueb faqja zyrtare e FSHF-së, për çka, shtëpia e futbollit shqiptar gishtin e drejtoi kah Veliaj dhe akuzoi politikën për agresion në futboll.

Drama vazhdoi edhe në orët e vona të natës së hënë, kur në hyrje të shtëpisë së Dukës në Durrës shpërtheu një eksploziv. Bashkëshortja e Dukës bashkë me djalin e çiftit ishin në shtëpi dhe fatmirësisht eksplozivi nuk ka lënduar njeri. E vet Duka ka treguar se para shpërthimit kishte marrë mesazhe kërcënuese me jetë përmes telefonit.

Për gjithë këto zhvillime, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), përmes drejtorit të Departamentit të Komunikimit, Andi Verçani, ka folur gjerë e gjatë për Gazetën Express.

Express: Kush mendoni se qëndron prapa sulmit të mbrëmshëm në shtëpinë e Presidentit Duka?

Andi Verçani, FSHF: Nuk di të them se kush qëndron pas sulmi. Armand Duka është një njeri i lirë, që kryen aktivitetin e tij publik lirisht dhe nuk ka pasur një problem në këto 32 vite demokraci në Shqipëri. Sa nuk dua ta mendoj se sulmi i mbrëmshëm mund të ketë një lidhje me funksionin e Presidentit Duka në botën e futbollit. Akoma nuk ka një informacion lidhur me hetimet që janë kryer, nëse ka konkrete ku po hetohet. Uroj që Policia të zhvillojë si duhet të sqarojë sa më shpejt që ndodhi.

Express: Para sulmit në shtëpinë e z.Duka, u hakua faqja zyrtare e FSHF-së. FSHF akuzoi Veliajn dhe politikën. A ndiheni ju si FSHF dhe Duka si president aktual dhe kandidat nën presionin e politikave në prag të zgjedhjeve në FSHF?

Andi Verçani, FSHF: Sulmi dhe presioni i politikave në proceset zgjedhore të FSHF është e rëndë, që ndalon totalisht statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe i UEFA-s dhe FA-s që nuk jemi anëtarë dhe kemi përshtatur dispozitat e lidhura me statusin tonë. Më duhet t’ju informoj se anëtarët tanë janë thirrur sistematikisht në sistemin e shtetit dhe janë kërcënuar me vënde pune dhe forma të tjera për të zgjedhur kandidatin e përkrahur nga Bashkia e Tiranës.

Express: A ekziston mundësia apo rreziku që të vjen puna deri te një suspendim i mundshëm i Shqipërisë nga UEFA dhe FIFA pas gjithë këtyre zhvillimeve dhe pretendimeve për presionin politik?

Andi Verçani, FSHF: Jemi në një mënyrë të përsëritur, kujtojmë këtu vite më parë ka ndodhur kjo histori dhe ne jemi pezulluar për shkak të statusit të politikës. Për fat të keq historia është ciklike dhe përsërit veten. Nuk dua ta mendoj se mund të arrijmë deri në atë pikë sepse do të ishte një goditje shumë e madhe për futbollin shqiptar dhe imazhin e tij ndërkombëtar, sidomos këto kohë që nuk janë një faktor i madh dhe ҫdo vit na besohen aktivitete të ndryshme.

Express: Thuhet se prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim ndaj Armand Dukës. A beson Duka se do të dalë i pastër?

Andi Verçani, FSHF: Jemi i njohur me disa lajme të rreme në media në lidhje me një hetim të prokurorisë së Tiranës dhe SPAK ndaj Presidentit Duka por deri tani që flet nuk ka asnjë kërkesë të nisur nga SPAK dhe Prokuroria e Tiranës. Kjo kemi mësuar nga mediat, konkretisht rrjeti investigativ BIRN, që kishte kontaktuar Arben Krajën, Drejtues të SPAK, dhe Elizabeta Ymerajn, Prokurore e Tiranës, që mohonin të ketë një hetim ndaj Dukës. E ka se nuk ka frikë nga motiva, ka qenë gjithmonë i hapur në veprimtarinë e tij dhe nëse një ditë do të thërrasin, do ti përgjigjem me kënaqësi ftesës së tij për të dhënë përgjigjet e kërkuara.

Express: A beson se mund të fitoj z.Duka mandatin e 6-të në krye të FSHF-së. Këto zhvillimet e fundit mos ndoshta e kanë shtyrë të shqyrtojë tërheqjen?

Andi Verçani, FSHF: Nuk e ka konsideruar në asnjë moment tërheqjen nga kandidimi siç e ka shprehur dhe mbrëmë në darkë. Nuk mendoj se në këtë momente do duhet të flitet për mundësitë e z.Duka për tu rizgjedhur si President i FSHF. Ky është momenti që të gjithë bashkë, ne, komuniteti i futbollit, të zhvillojmë një proces të rregullt zgjedhor dhe anëtarët tanë të kenë mundësinë e zgjedhjes së lirë, demokratike, pa shantazhe dhe kërcënime. Federata Shqiptare e Futbolli po punon për të mbrojtur anëtarët e saj nga këto sulme të tmerrshme që kanë një muaj që kanë filluar.

Kush është Armand Duka?

Armand Duka është 59-vjeç. Është lindur në Shijak. Ai është president i FSHF-së nga viti 2002. Në zgjedhjet e 2 marsit do ta kërkojë mandatin e gjashtë në krye të shtëpisë së futbollit. Kundërkandidat i tij pritet të jetë gazetari Dritan Shakohoxha.

Duka aktualisht është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, e cila ka reaguar ndaj sulmit me eksploziv në shtëpinë e tij dhe ka shpreh shqetësim për presion politik mbi FSHF.

Suksesin më të madh me Dukën president futbolli shqiptar e ka regjistruar në vitin 2016 kur për herë të parë mori pjesë në një Kampionat Evropian, “Euro 2016”. Sukses i tij konsiderohet edhe bërja e Shqipërisë me një stadium modern, siç është “Air Albania” në Tiranë nga viti 2019.

Duka gëzon respekt e mirënjohje nga Kosova, të cilën e kishte ndihmuar me aq sa kishte mundësi, në forma të ndryshme, në kohën kur futbolli kosovar ishte i izoluar dhe i papranuar nga UEFA e FIFA. Ai e kishte shfrytëzuar anëtarësinë e Shqipërisë në UEFA e FIFA për të lobuar dhe ndihmuar Federatën e Futbollit të Kosovës për anëtarësim në këto dy organizata. Ai është edhe një biznesmen mjaft i pasur dhe i suksesshëm. Duka është i martuar dhe ka dy fëmijë. Me profesion është ekonomist dhe flet dy gjuhë të huaja: Gjuhën angleze dhe italiane. /GazetaExpress/