Dueli me Tiranën, Josa: Fanella s’ka më peshë në futboll, forma bën diferencën

schedule17:57 - 16 Prill, 2021

schedule 17:57 - 16 Prill, 2021

Fitorja me Kastriotin ka rritur moralin te Kukësi, por nesër është radha e një ndeshje edhe më të komplikuar. Ekipi verilindor pret kampionët e Tiranës, sfidë që do synohet të fitohet për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve pozitive.

Trajneri i Kukësit, Mirel Josa foli në konferencën për shtypin rreth duelit ndaj bardhebluve, mungesave. Barazimi është pjesë e lojës, por Josa thekson se djemtë e tij nuk futën kurrë në fushë për të marrë një pikë.

SFIDA – “Nuk e shoh si sfidë me Tiranën, e shoh si ndeshje e radhës që ka Kukësi, qoftë Tirana apo dikush tjetër. Shohim nivele që nuk kanë shumë ndryshim. Ndryshimi ka ardhur nga gabimi i skuadrave ose nga aftësitë e skuadrave për të bërë mirë”.

 

MUNGESAT – “Nuk jemi pa mungesa në këtë ndeshje. Do të jenë dy mungesa kryesore. Një është Kurdic, i cili ka problem me kartonë. Tjetri është e Tsinxaxes, i cili ishte i pafat me incidentin që pësoi dhe do të mungojë 10 ditë. Kemi lojtarë të tjerë që mund t’i zëvendësojnë, sepse mua më intereson e përgjithshmja. Dëmtimet janë gjëra normale në një skuadër dhe kemi punuar shumë për këtë ndeshje”.

TIRANA – “Nuk besoj se ka fanella në futboll, por duhet të jesh në gjendje t’i interpretosh ndeshjet siç duhet. Kemi pasur ndeshje të lehta dhe kemi humbur pikë. Për mendimin tim çdo ndeshje varet nga gjendja aktuale e skuadrave”.

MOTIVIMI – “Skuadra ka qenë gjatë gjithë periudhës e motivuar, por nuk do të thotë që morëm një fitore me Kastriotin dhe çdo gjë u rregullua. Problem ka qenë mungesa e stabilitetit dhe mos marrja e rezultateve. Mendoj që ndeshja e nesërme do të më japë mua një përqindje të lartë garancie për vazhdimësi”.

I KËNAQUR ME BARAZIM? – “Nuk futëm në fushë asnjëherë për barazim, po erdhi barazimi për dy skuadrat do të jetë një rezultat jo i mirë, kështu që janë tre pikët që luhen, por barazimi është pjesë e lojës. Ndonjëherë më mirë një pikë se pa asgjë”. /abcnews.al