Edi Paloka, negociatori i palës së Berishës ka treguar versionin e tij pse dështuan negociatat. “Përveç primareve nuk kemi kërkuar asgjë tjetër”, kështu u shpreh negociatori i Sali Berishës me grupin e Enkelejd Alibeajt. Sipas Edi Palokës kundrejt Grupit Parlamentar të PD-së nuk është kërkuar as njohja e Berishës si kryetar dhe tërheqja e kërkesës në Gjykatë për statusin e PD-së.
Paloka ka theksuar se Gazment Bardhi dje ka dorëzuar një listë plot me kushte dhe jo për të biseduar për gjetjen e një zgjidhje.
“Ne nuk kemi kërkuar as tërheqjen e kërkesës absurde në gjykatës. As njohjen e Berishës si kryetar. Fraksioni u thamë se është mundësi për të qenë pjesë e PD edhe pse kundërshtar brenda PD. Por dje ishte një fletë e mbushur me kushte. Që aty gjykohet se nuk ka vullnet për bisedime. Bisedimet kanë filluar përpara edhe me përfaqësues të tjerë. Nuk e them dot emrin.” tha Edi Paloka.
Nga ana tjetër, dështimi i negociatave me grupin e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj për të dalë me një kandidat të përbashkët të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 Majit është komentuar përmes një prononcimi për mediat nga kryetari i kësaj force politike Sali Berisha.
Kryetari i PD-së ka deklaruar se statuti i Kuvendit të 11 Dhjetorit është themeli mbi të cilën është ngritur PD-ja. Kryedemokrati Berisha ka thënë se opozita nuk mund të pengohet nga asgjë për të fituar këto zgjedhje teksa ka shtuar se grupi i deputetëve të drejtuar nga Alibeaj “janë ftuar pa asnjëlloj paragjykimi që të bashkoheshin nëse donin të garonin për çdo post në bashkitë e vendit të paraqisinin kandidatë ose të krijonin franskion”, por Berisha thekson se “ata nuk e duan as statutin, as primaret dhe as franksionin”.
Në fund të fjalës së tij, kryetari i PD-së Berisha ka paralajmëruar se “kush prek flamurin e PD-së, i ka hesapet keq”.
/abcnews.al/


