Bruksel, Mogherini takohet me Dimitrov

schedule13:20 - 28 Maj, 2018

schedule 13:20 - 28 Maj, 2018

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, u takua në Bruksel me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, para takimit te ministrave të Jashtëm qË po zhvillohet duke pasur në fokus bisedimet për emrin mes Shkupit dhe Athinës. Mogherini shprehu qëndrimin e saj pozitiv për progresin e këtyre negociatave.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian po diskutojnë gjerësisht për bisedimet rreth zgjidhjes së çështjes së emrit të Maqedonisë. Lidhur me këtë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini u takua me ministrin e Jashtëm të Shkupit, Nikolla Dimitrov. Pas bisedës, zyrtarja e Brukselit dha një prononcim të shkurtër për media.

“Sapo kam dalë nga një takim informal pune me ministrin e Jashtëm të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë sëbashku me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare. Më lejoni t’iu them që në të gjithë jemi të inkurajuar për progresin e bërë, veçanërisht në negociatat me Athinën në çështjen e emrit. Pra ne të gjithë do të punojmë për të mbështetur dhe shoqëruar një rezultat pozitiv të këtyre negociatave të rëndësishme”.

Mediat shqiptare të Maqedonisë raportuan se në Bruksel mund të zhvillohej dhe një takim mes dy ministrave të Jashtëm, Dimitrov dhe Kotzias. Por një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar.

Duke u bazuar në qëndrimet e disa vendeve anëtare të BE-së të cilat kundërshtojnë fillimin e negociatave me Maqedoninë, analistët mendojnë se mundësitë e zgjidhjes po shterojnë.

Ndërkohë, Greqia kohëve të fundit refuzoi zyrtarisht propozimin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” që u vendos në tryezë nga Shkupi./abcnews.al