Braktisja e Berishës/ Zgjidhet në krye të Foltores, pa dhënë llogari për 14 majin. Argita dominon Kuvendin

schedule19:37 - 2 Dhjetor, 2023

schedule 19:37 - 2 Dhjetor, 2023

TIRANË– “Prapë i paskan lënë disa shkallë këtu, por Sali Berisha nuk rrëzohet kurrë më”.

Kjo ndoshta i referohet numrit të mbështetësve të tij që e rikonfirmuan për të vijuar më tej në krye të Foltores, strukturë e cila nuk ekziston në asnjë dokument, si forcë politike.

“Kanë votuar pro 938 delegatë, kanë votuar kundër 55 delegatë”, tha Ivi Kaso.

Por ndoshta për një arsye edhe më të fortë dhe lidhet me prezencën e Argita Malltezi, në Kuvendin e tij Kombëtar, organin më i lartë i një partie. Për herë të parë, ajo u shfaq më protagonist se i ati dhe e dominoi edhe Kuvendin Kombëtar.

Argita Berisha u shfaq që në fillim në krah të të atit, dhe më pas u pozicionua mes anëtarëve të Kryesisë. Për të vijuar më tutje, me një fjalim për herë të parë në këto 33 vite, në organin më të lartë të grupimit.

“Në vitet ’90 kam marrë pjesë aktive në të gjithë ngjarjet e lëvizjes së dhjetorit dhe muajve që pasuan, pa pasur asnjë qëllim angazhimi në politikë, dhe në fakt – për shkak të moshës – pa pasur as edhe pretendime ekonomike”, tha ajo.

Sigurisht që ajo shmangu problemet me drejtësinë e bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezi, që është nën hetim nga prokuroria speciale, me akuzën e korrupsionin në privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Por njësoj si babai i saj kërkoi prej mbështetësve përfshirjen në betejë.

Megjithatë a ishte ky sinjali i parë se në dorë të kujt mund të jetë Foltorja nëse Berisha ikën apo nëse drejtësia vepron më tej në drejtim të tij?

“Nuk kam ambicie për më shumë”, shtoi ajo.

Ky Kuvend Kombëtar u thirr prej Sali Berishës pas rezultatit katastrofik që mori më 14 maj, por ajo asgjë e re nuk u dëgjua prej tij, e aq më pak për përgjegjësinë e tij dhe arsyet e humbjes.

“Nuk kemi më gjykata popullore, por kemi SKAP-in dhe gjykatat e partisë, grupet e strukturuara kriminale, brenda të cilave përdoren për t’i dhënë grushte armiqve në opozitë”

Në vend të llogaridhënies, Berisha vijoi më të njëjtat akuza ndaj Ramës dhe me paralajmërime se do e rrëzojë qeverinë, jo më me revolucion, por me mobsindje civile.

“Mosbindja civile është betimi im”, u shpreh Berisha.

Ky Kuvend Kombëtar dëshmoi sakaq dhe braktisjen e tij nga grupi më i madh i deputetëve. Gazment Badhi dhe 17 deputetë demokratë të tij e bojkotuan Berishën, duke iu përmbajtur qëndrimeve të tyre, se ai nuk është kryetari që ata njohin. Por Berisha siç duket nuk ka hatërmbetje për këtë braktisje.

“I përshëndes deputetët kudo që janë”, tha ai

Asnjë fjalim tjetër, përveç atit të Berishës e Argitës, nuk patën interes për t’u dëgjuar nga delegatët të thirrur nga çdo cep i Shqipërisë. Salla paso u boshatis dhe shumë folën vetëm para karrigeve bosh, e të tjerëve që reaguan nga largësia e Pallatit të Kongreseve, siç është PD-ja e Lulzim Bashës.

PD zyrtare reagoi ndaj Kuvendit Kombëtar të Berishës, duke përsëritur se ai është aty për problemet e tij dhe për t’i ikur llogaridhënies për humbjen e thellë të zgjedhjeve të 14 majit. Por Partia Demokratike e Lulzim Bashës nuk tha asnjë fjalë dhe heshti ndaj prezencës dhe fjalimit të Argita Berishës, protagonistes së vetme të këtij Kuvendi./abcnews.al